Sport

Kombëtarja shqiptare do të luajë dy përballje miqësore në prag të “Euro 2024”!

Kombëtarja shqiptare do të luajë dy ndeshje miqësore para finaleve të Europianit “Gjermani 2024” ndaj Lihtenshtejnit dhe Azerbajxhanit. Ashtu siç është bërë e ditur më parë nga Departamenti i Komunikimit në FSHF, takimi ndaj Lihtenshtejnit do të luhet më datë 3 qershor, ndërsa ndaj Azerbajxhanit më datë 7 qershor.

Ndërkohë është vendosur edhe stadiumi ku do të luhen këto takime si dhe orari i sfidave. FSHF ka gjetur akordin me federatat përkatëse që ndeshjet ndaj Lihtenshtejnit dhe Azerbajxhanit të zhvillohen në Hungari në “Haladás Sportkomplexum”. Takimi ndaj Lihtenshtejnit do të luhet më datë 3 qershor në “Haladás Sportkomplexum“ në orën 20:00, ndërsa ndeshja ndaj Azerbajxhanit më datë 7 qershor po në “Haladás Sportkomplexum“ në orën 19:00.

Pas dy sfidave miqësore, në muajin qershor Shqipëria do të nisë edhe rrugëtimin në Kampionatin Europiani “Gjermani 2024”.

Më datë 15 qershor kuqezinjtë do të luajnë takimin e parë ndaj Italisë, në orën 21:00, në stadiumin “BVB Stadion Dortmund”. Katër ditë më pas, më datë 19 qershor kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e dytë të Europianit kundër Kroacisë duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”. Ndeshjen e fundit në Grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës më datë 24 qershor, në stadiumin “Dusseldorf Arena”, në orën 21:00.

Ju rikujtojmë se, një pjesë e delegacionit shqiptar të Euro 2024 ndodhet në Gjermani, bashkë me përfaqësuesit e UEFA-s. Veç seminareve e diskutimeve të punës, apo edhe diskutimit teknik të trajnerëve për të shtuar numrin e lojtarëve nga 23 në 26, është bërë edhe kontrolli përfundimtar i bazës kuqezi në Kaizerau, ku do të qëndrojë Kombëtarja gjatë Europianit. Me vajtjen e kuqezinjëve atje në javën e dytë të qershorit, kjo qendër e madhe sportive dhe hoteli me 90 dhoma do të jetë ekskluziv për Kombëtaren kuqezi dhe stafin e saj mbështetës.