Aktualitet

Konferenca Ndërqeveritare, Tirana shpreson që Shkupi të kalojë planin francez!

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla deklaroi sot se “tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, të hënën apo të martën me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”. Në një prononcim për mediat nga selia e Kuvendit, pas takimit me deputetin gjerman, njëherazi raporter për Ballkanin Perëndimor në Bundestag, Adis Ahmetovic, Balla u shpreh se “në Këshillin Europian përgatitjet janë gati për të hënën apo të martën që të mbahet Konferenca”.

Shpresoj që brenda kësaj jave, një prej detyrave të shtëpisë të planit francez për Maqedoninë e Veriut të përmbushet. Thirrja ime është që ky parakusht të plotësohet gjatë kësaj jave, që në atë dy ditë të ketë mundësi që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mbajnë Konferencën e parë Ndërqeveritare. Uroj që deputetët e parlamentit të Maqedonisë së Veriut do të tejkalojnë axhendat politike. Ftesa më shumë është për opozitën e Maqedonisë së Veriut, që të mbështesë marrjen në kohë të këtij vendimi!

Balla theksoi se “jetojmë në një moment të vështirë në Europë dhe ky kontekst i ri kërkon vendimmarrje të rëndësishme”.

Kjo është arsyeja pse kancelari Scholz ka qenë i qartë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Ne nuk duam as veto dhe as të pengojmë anëtarësimin e vendeve të tjera , por siç vepruam unison me sanksione kundër Rusisë, kështu duhet të veprojmë edhe për këtë proces. Edhe Kosova e Bosnje Hercegovina duhet të marrin statusin e vendit kandidat. Nuk mund të presim më. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk mund të presë më!

Taulant Balla shtoi se Shqipëria vlerëson shumë procesin e Berlinit, si një proces që ka ndikuar pozitivisht në bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ballkani i Hapur” është instrumenti i duhur që ka mundësuar që parimet themelore të BE-së të implementohen edhe në rajonin tonë.