Aktualitet

PS kërkon përjashtimin e Agron Shehajt për 60 ditë dhe kallëzim në SPAK

Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin me 60 ditë nga Kuvendi të deputetit Agron Shehaj, pas incidentit të regjistruar në ambientet e Parlamentit, ku ai mori një kopje të marrëveshjes konfidenciale me SHBA dhe u largua nga salla.

Përveç masës disiplinore, socialistët kanë kërkuar edhe referimin e çështjes në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke pretenduar se Shehaj ka cenuar sigurinë kombëtare përmes marrjes së dokumentit.

Në kërkesën drejtuar Kuvendit, PS pretendon se këshilltarja që mbante dokumentin është rrëzuar gjatë përpjekjes për ta ndaluar deputetin dhe për të rimarrë materialin.

“Këshilltarja e ndoqi deputetin dhe në përpjekje për ta ndaluar dhe ta rimarrë dokumentin, u rrëzua nga shkallët dhe pësoi lëndime të rënda, siç vërtetohet dhe nga pamjet video bashkangjitur kësaj kërkese”, thuhet në kërkesën e PS.

Socialistët pretendojnë se veprimet e Shehajt mund të përbëjnë disa vepra penale, përfshirë përvetësimin ose marrjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar, vjedhjen, grabitjen, pengimin e detyrës së funksionarit publik dhe shkelje të dispozitave për mbrojtjen e sekretit shtetëror.

Sipas PS, dokumenti i marrë nga deputeti përmban informacion të mbrojtur me ligj dhe çështja duhet të hetohet nga organet kompetente për të sqaruar rrethanat e plota.

Agron Shehaj nuk ka reaguar ende ndaj kërkesës për përjashtimin e tij dhe referimin e çështjes në SPAK.