Aktualitet

KQZ: Deri në orën 13:00, votuan 31.87% e qytetarëve!

Deri në orën 13:00, votuan 31.87% e qytetarëve me të drejtë vote sot në zgjedhjet parlamentare. Këto janë të dhënat më të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që i referohen raportimeve nga 65 qendra votimi nga gjithsej 5 mijë e 199.

Referuar grafikëve të KQZ-së, Kukësi, Dibra e Tirana janë qarqet me pjesëmarrjen më të lartë me respektivisht 38.7, 36.85 e 35.59. Deri tani nuk janë shënuar incidente serioze ndërsa mbeten edhe 5 orë nga mbyllja zyrtare e qendrave të votimit që u hapën në 07:00 të mëngjesit. Aty ku pati probleme me identifikimin biometrik të zgjedhësve po vijohet në mënyrë manuale.

Pjesëmarrja në votim deri në 13:00 sipas të dhënave të KQZ-së.

Në zgjedhjet e sotme marrin pjesë 1841 kandidatë për deputetë. 5199 Qendrat e Votimit do të monitorohen me kamera, gjë që është një garanci e shtuar në parandalimin e paligjshmërive, si fotografimi i votës, votimi familjar, votimi më shumë se një herë, etj.

Në këto zgjedhje qytetarët mund të votojnë si për partinë politike, ashtu edhe për kandidatët e partive.