Kremlini i hedh poshtë raportimet e mediave se u zhvillua një bisedë telefonike mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij të zgjedhur amerikan, Donald Trump duke deklaruar se janë “krejtësisht të rreme”. Duke cituar burime të afërta me Trump-in, e përditshmja amerikane, Washington Post dje raportonte se Trump ka folur me Putin-in në telefon më 7 nëntor dhe kanë diskutuar për luftën në Ukrainë.
Trump e zhvilloi bisedën në Florida, një ditë pasi foli me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Burime anonime, të cituara nga gazeta deklaruan se Trump i tha Putin-it të mos përshkallëzojë luftën në Ukrainë dhe shprehu interesim për bisedime të mëtejshme për “të zgjidhur çështjen e luftës në Ukrainë shpejt”. Edhe agjencia e lajmeve Reuters raportoi për këtë thirrje telefonike.
Eshtë plotësisht e pavërtetë. Eshtë gjë plotësisht e shpikur, informacion i rremë, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Nuk është zhvilluar asnjë bisedë.
Fillimisht, Putin u tregua i ftohtë ndaj fitores së Trump-it në zgjedhje ndërsa më 7 nëntor e uroi publikisht. Ai lavdëroi “kurajon” e Trump-it kur i mbijetoi atentatit për ta vrarë në korrik e tha se është “gati” të flasë me të. Peskov shtoi:
Ky është shembulli më i pastër i cilësisë së informacionit që po publikohet në ditët e sotme, ndonjëherë edhe nga media me famë.
Sipas tij, nuk ekzistojnë “plane konkrete” për një thirrje të tillë. Kremlini ka vërejtur “një dozë nervozizmi” në Europë, pas rizgjedhjes së Trump-it. Sa ishte duke bërë fushatë për zgjedhjet e 5 nëntorit, Trump ka pretenduar se do t’i japë fund luftës në Ukrainë, pa ofruar hollësi se si planifikon të arrijë deri aty.
Trump ka dhënë sinjale që Ukrainës mund t’i duhet të pajtohet për të dhënë territor, në mënyrë që të arrijë paqe me Rusinë. Njerëz që kanë njohuri për thirrjen telefonike, thanë për gazetën amerikane, Washington Post se Kievi është informuar për telefonatën e Trump-it me Putinin e nuk ka kundërshtuar.
Megjithatë, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhiy Tikhiy, deklaroi dje për Reuters-in se Kievi nuk ka qenë në dijeni për këtë thirrje telefonike. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.