Rajoni

Kriza në Kosovën e veriut, thirrje e shoqërisë civile drejtuar Prishtinës e Beogradit!

Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe mediave nga komuniteti serb në Kosovë miratuan një deklaratë të përbashkët, në të cilën bëjnë thirrje për zgjidhje paqësore të krizës e fillimin e dialogut pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës. Kjo thuhet në komunikatën e organizatës Aktiv. Për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, serbët në Kosovë vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak, më 31 korrik. Pas ndërhyrjes diplomatike të Uashingtonit, Qeveria e Kosovës bëri të ditur shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi në momentin që serbët heqin barrikadat, çka ndodhi më 1 gusht.

Përfaqësuesit e OJQ-ve dhe mediave nga komuniteti serb, të mbledhur rreth platformës Empirika, u bëjnë thirrje qeverive në Prishtinë e në Beograd që të “nisin dialog konstruktiv”, si dhe Listës Serbe që të marrë pjesë aktive në zgjidhjen e këtij problemi.

U bëjmë thirrje qeverive në Beograd dhe Prishtinë që të përmbahen nga çdo lëvizje e njëanshme e të zëvendësojnë retorikën nxitëse me dialog konstruktiv, i cili është e vetmja mënyrë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme që do të respektojë nevojat e qytetarëve.

I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar, BE-së, SHBA-ve dhe vendeve të Quint-it që menjëherë e sa më shpejt të krijojnë hapësirë për dialog në nivel politik, duke insistuar në kontakt të drejtpërdrejtë ndërmjet delegacioneve të Beogradit dhe Prishtinës.

Në këtë deklaratë, ftojnë dhe Listën Serbe, e cila është pjesë e Qeverisë së Kosovës e ka deputetë në Kuvend, që të marrë përgjegjësi e të marrë pjesë aktive në zgjidhjen e këtij problemi.

Si aktivistë dhe qytetarë, dëshirojmë që urrejtja, tensioni dhe destabilizimi të përfundojnë e përmes dialogut dhe zgjidhjes së përbashkët të problemeve, të krijohen kushte për jetesë të përbashkët, bashkëpunim e prosperitet.

Nënshkruesit e kësaj letre janë: Qendra për Paqe dhe Tolerancë (CPT); Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike (ACDC); Forumi për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndëretnik (FDMC); Grupi Mediatik i Gorazhdevci; Qendra Humane Mitrovicë Komunikimi për Zhvillimin Shoqëror (CSD); OJQ AKTIV; Veprimtaria rinore e Parteshit; RTV KIM; Radio Kontakt Plus dhe OJQ Far.