Rajoni

Pas shtyrjes së reciprocitetit, nis heqja e barrikadave në veriun e Kosovës!

Në veri të Kosovës, fillimisht në Rudarë që ndodhet 5 km larg Mitrovicës e që çon drejt pikës kufitare të Jarinjës, rreth orës 11:00 nisi heqja e barrikadave të vendosura nga serbët, për të mos lejuar kalimin drejt Jarinjës e Bërnjakut, në kufirin me Serbinë. Ato u vendosën dje pasdite, në shenjë proteste për zbatimin e vendimeve të reciprocitetit për targat e dokumentet e identifikimit. Në qershor, qeveria e Kosovës përcaktoi 1 gushtin si ditën e hyrjes në fuqi të tyre, pra sot. Por për shkak të tensioneve të forta, me kërkesë të ndërkombëtareve, kabineti Kurti vendosi shtyrjen me një muaj, deri më 1 shtator 2022.

Policia e Kosovës konfirmon se në veri, qarkulluan grupe njerëzish të armatosur, që qëlluan me armë zjarri ndaj forcave të rendit, si dhe u shënua një shpërthim. Nuk raportohen të plagosur në radhët e policisë. Po ashtu, katër qyetarë shqiptarë në veri të Kosovës u dhunuan dhe u keqtrajtuan. Ata morën lëndime, si dhe iu dëmtuan automjetet personale.

Ndërkohë, mësohet se shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell ka ftuar në një takim në Bruksel, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Mësohet se Kurti e Vuçiç morën ftesë për vazhdimin e dialogut, ku të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura mes dy shteteve. Në Bruksel vënë në dukje se tensionet janë pasojë direkte e mungesës së vullentit të liderëve për t’u ulur dhe vazhduar bisedimet.

Deri tani, në Prishtinë e në Beograd, nuk ka konfirmim për pjesëmarrjen e udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë në këtë takim të thirrur nga Josep Borrell. Siç u konfirmua në Bruksel, dje përfaqësuesit e BE-së ishin në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit në Kosovë e Serbi, pasi u vendosën barrikada në veriun me shumicë serbe.

Të gjithë qytetarët e Serbisë që hyjnë në Kosovë duhet të pajisen me një dokument për hyrje-daljet, me afat 90-ditor. Sa i përket vendimit të dytë të kontestuar nga Beogradi, ai për targat, personat që kanë makina me targa me akronime të qyteteve të Kosovës e që lëshohen nga Serbia, duhet t’i riregjistrojnë automjetet e tyre, ku të vendosin targat RKS.