Rajoni

Kryeministri Kurti i rikthehet deklaratave mbi fushatë dezinformimi nga Serbia!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sërish deklaroi se një fushatë dezinformimi për vendimet e qeverisë sa i përket targave dhe dokumenteve, kishte për qëllim të nxiste frikë e të krijonte destabilitet. Kurti u bëri thirrje serbëve të mos bien pre e fushatave të tilla. Në mbledhjen e djeshme të kabinetit qeveritar, Kurti tha se vendimi për riregjistrimin e autoveturave me targa të lëshuara nga Serbia, i shërben rendit dhe ligjit, sigurisë publike e lëvizjes së lirë.

Por, zbatimi i këtij vendimi, së bashku me atë për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë, u shty për më 1 shtator, për shkak të ngritjes së barrikadave më 31 korrik e 1 gusht në veri të vendit.

Fushata e dezinformimit ishte në shërbim të barrikadave. Në përbërje me individë të armatosur e me të kaluar kriminale, ato u bënin rezistencë vendimeve tona vetëm që të mbronin krimin e organizuar në veri të vendit. Kam dëgjuar lajme të rreme që dokumentet serbe do të konfiskoheshin në kufijtë e Kosovës, por vendimi i qeverisë nuk pati këtë qëllim.

Dokumenti për hyrje-dalje është vetëm një dokument shtesë që u jepet të gjithë shtetasve serbë me të hyrë në Kosovë. Askush nuk është imun ndaj lajmeve të rreme, ndërsa rreziku prej tyre është shumë i madh. Po jetojmë në një epokë sfiduese ndaj na duhet kujdes i shtuar. Sot dezinformimi paraqet rrezik për sigurinë kombëtare.

Kurti falënderoi qytetarët që më 31 korrik e 1 gusht treguan përmbajtje dhe i ftoi të mos bien pre e dezinfomatave për vendimet e ekzekutivit që drejton.

Ne e dimë se barrikadat që rëndom vendosen në veri nuk vijnë nga poshtë, por vendosen nga lart. Ato nuk ju përfaqësojnë dhe as nuk ju mbrojnë. Të njëtin mesazh, Kurti e dha në shqip e serbisht.

Më 31 korrik, një ditë para hyrjes në fuqi të vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, serbët lokalë bllokuan rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare Jarinjë e Bërnjak në veri. Pas ndërhyrjes së faktorëve ndërkombëtarë, qeveria ra dakord me shtyrjen dhe barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit.