Rajoni

Albin Kurti: Shtyrja e reciprocitetit nga dezinformimi i Beogradit!

“Shtyrja e zbatimit të vendimeve për reciprocitet me Serbinë u bë për shkak të fushatës së madhe të dezinformimit të Beogradit mbi qytetarët e Kosovës”. Kështu deklaroi sot kryeministri Albin Kurti, duke folur në seancë plenare.

Ka qenë e egër fushata e dezinformimit, është folur për operacionin Stuhia, se do të ndodhë të dielën, është folur për ferrin që do t’i pllakosë serbët në Kosovë, e të tjera e të tjera. Këto dezinformata shtynë Qeverinë që te faktorët ndërkombëtarë europianë dhe amerikanë, të pranojë shtyrjen e vendimit për reciprocitetin, deri më 1 shtator 2022.

Ajo që është dashur të ndodhë para 11 viteve, ne po fillojmë ta zbatojmë tani. Njëmbëdhjetë vjet pati pritje e tani në më pak se një muaj ka nxitim. Pra, ky muaj qenka shumë më i rëndë se ato 11 vjet.

Më 29 qershor, Qeveria Kurti vendosi reciprocitet për hyrjen e shtetasve të Serbisë në Kosovë, si dhe për mundësinë e riregjistrimit të makinave me targat e qyteteve në Kosovë, duke zëvendësuar ato të lëshuara nga autoritetet e Serbisë me RKS. Sipas vendimit, më 1 gusht do të niste zbatimi i tij.

Më 31 korrik, në shenjë proteste, serbët në veri vendosën barrikada në dy rrugët që çojnë për në pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak dhe që lidhin Kosovën e Serbinë. Pas tensioneve, bllokimit të rrugëve në veri dhe ndërhyrjes ndërkombëtare, Kosova ra dakord të shtynte publikimin e formularëve për shtetasit serbë deri në fillim të shtatorit, si dhe periudhën dymujore për riregjistrimin e targave.

Kurti tha se vendimi për reciprocitet me Serbinë do të bëhet më 1 shtator.

Më mirë më 1 shtator se hiç!

Këto deklarata të kryeministrit Kurti pasojnë akuzat që deputetë të partive opozitare i bënë për situatën në veri. Kreu i ekzekutivit tha se “dy masat janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit” dhe se ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes mes Prishtinës dhe Beogradit u arrit në Bruksel në vitin 2011.