Rajoni

Kryeministri Kurti kundër deklaratave serbe për Asociacionin!

Kryeministri Albin Kurti dënon deklaratat e drejtorit të së ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën në Qeverinë serbe”, duke i cilësuar “nxitëse” dhe që “nuk i kontribuojnë ligjit e shtetit të Kosovës”. Një ditë më parë, Petar Petkoviç tha se “përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës do të nisin me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Kjo do të jetë përgjigjja nëse Kosova nuk heq dorë nga vendimi për zëvendësimin e targave serbe dhe reciprociteti mbi dokumentet e identifikimit të Serbisë.

Por, sot gjatë një konference për media në Prishtinë, Kurti tha se “qytetarët serbë në Kosovë nuk po i kërkojnë që ta zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin”, që Kosova dhe Serbia kanë arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian në Bruksel.

Për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e ka thënë qëndrimin e qartë Gjykata Kushtetuese e peticioni i qytetarëve. Në anën tjetër, në zyrën time, nuk ekziston as edhe një letër e ndonjë qytetari serb të Kosovës, që të kërkojë zbatim të Asociacionit. Asnjë! Për çdo javë marr letra nga qytetarët serbë, por asnjë prej tyre nuk është për Asociacionin. Unë i përgjigjem qytetarëve të Republikës së Kosovës e ndaj besoj që duhet të kemi parasysh se kushtetuetshmëria e ligjshmëria edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nga dhjetori i vitit 2015, por gjithashtu edhe interesi ynë publik, nuk e imponojnë me domosdoshmërinë destabilizuese të Beogradit, një temë të tillë në Kosovë.

Kujtojmë se në vitin 2013, Kosova e Serbia patën arritur Marrëveshjen fillestare për Asociacionin. Dy vjet më pas, më 2015-ën, palët nënshkruan edhe Marrëveshjen mbi Parimet për krijimin e Asociaicionit. Por, po më 2015-ën, Gjykata Kushtetuese konstatoi se 23 pika të marrëveshjes ishin në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Serbia kërkon që me çdo kusht të zbatohet Marrëveshja për Asociacionin, ndërsa kryeministri Albin Kurti, vazhdimisht shprehet kundër një asociacioni një-etnik.