Rajoni

Një ditë para reciprocitetit, Prishtina zyrtare e përkushtuar t’i përgjigjet çdo situate sigurie!

“Institucionet e Kosovës janë të bashkuara e të përkushtuara që t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, në bashkëpunim me partnerët strategjikë”. Kjo u theksua pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, të thirrur nga kryeministri Albin Kurti. Aty u diskutuan dy vendime të qeverisë lidhur me targat serbe dhe dokumentet e Serbisë e që hyjnë në fuqi nesër. Për zbatimin e tyre, institucionet kanë zhvilluar të gjitha procedurat teknike dhe administrative. Ekzekutivi thotë se “këto dy vendime janë në funksion të sigurisë, të vendosjes së rendit publik, ligjshmërisë e sundimit të ligjit”.

Institucionet e Republikës së Kosovës qëndrojnë të përkushtuara e të bashkuara që t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, çdoherë në bashkërendim dhe bashkëpunim të ngushtë edhe me partnerët tanë strategjikë.

Nga 1 gushti, qytetarët që kanë makina me targa me akronime të qyteteve të Kosovës e që lëshohen nga Serbia do të mund të riregjistrojnë automjetet me ato RKS (Republika e Kosovës). Në veriun e Kosovës me shumicë serbe, llogaritet se qarkullojnë 10 mijë makina me targa me emra të qyteteve të Kosovës, të tilla si PR (Prishtinë), KM (Mitrovica e Kosovës) e të tjera.

Po ashtu, nga 1 gushti, të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në territorin e Kosovës do të pajisjen me një dokument të përkohshëm të hyrje-daljeve e që do të zëvendësojë ato të identifikimit personal nga Serbia. Të njëjtën praktikë, Beogradi aplikon për shtetasit e Kosovës prej 11 vitesh.

Vendimi i 29 qershorit i Qeverisë së Kosovës nuk u prit mirë nga autoritetet në Serbi. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, tha se “nëse Kosova nuk heq dorë nga këto vendime, zyrtarët në veri do të nisin krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Gjithashtu, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës u mor vendimi që të shtyhet afati për mbulimin me letra ngjitëse të simboleve shtetërore serbe në targat e makinave. Ky afat u shty deri më 31 tetor të këtij viti. Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën shtatorin e kaluar, pasi Prishtina vendosi reciprocitet për targat, duke kërkuar nga drejtuesit e makinave me targa serbe, që të mbulonin simbolet shtetërore në to, gjatë qarkullimit në Kosovë.

Bashkimi Europian ndërmjetësoi një marrëveshje të përkohshme dhe më pas në negociatat në kuadër të dialogut, Kosova e Serbia nuk arritën një marrëveshje afatgjatë për këtë çështje, duke bërë që regjimi i letrave ngjitëse të vazhdojë.