Aktualitet

Kuvendi shkarkon Ilir Metën!

Kuvendi vendosi se Ilir Meta nuk duhet të vazhdojë të jetë President i Republikës. Me 104 vota pro, 7 kundër e 3 abstenime u vendos shkarkimi i kreut të shtetit për shkelje kushtetuese. 114 deputetë morën pjesë në votim. Më herët, me 104 pro, 7 kundër, 2 abstenim dhe 1 e pavlefshme u votua raporti i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës, çka i hapi rrugë votimit të fshehtë me kuti të deputetëve.

94 votat e nevojshme u siguruan e tejkaluan me mbështetjen e opozitës parlamentare por pavarësisht shkarkimit nga Kuvendi është Gjykata Kushtetuese që jep verdiktin.

Më herët, Kryeministri Edi Rama u ndal në arsyet se përse ai nuk duhet të vazhdojë më të jetë në krye të shtetit:

Meta ka poshtëruar Kushtetutën, shembi institucionin e garantit të Unitetit, dhunoi kufirin jetik të ndarjes së pushteteve në demokracinë parlamentare.

Për Ramën, “Presidenti i ka humbur plotësisht dhe përfundimisht të gjitha shanset për t’u kthyer në binarët”.

Nuk mund ta mbajmë në kurriz, ndaj ky Parlament duhet të ushtrojë  vullnetin e 90% të shqiptarëve për ta shkarkuar nga detyra! Keqardhje për mikun tonë të dikurshëm por Meta i sotëm nuk mund ta mbajë këtë status!