Bota

Raketat ruse lënë pa energji Kievin/Gjermania thërret G7-ën për furnizimin e Ukrainës me energji!

Pas sulmeve ajrore ruse që goditën Ukrainën, në shumicën e qyteteve u rikthye energjia elektrike, përveçse në kryeqytet. Kievi mbetet ende me furnizim të kufizuar. Kryebashkiaku Vitali Klitschko informoi se 60% e qytetit ende nuk ka energji. Ai shtoi se prioritet mbeten furnizimi me ujë e transporti publik. Ndërsa pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në muajin e dhjetë, po vazhdojnë sulmet e intensifikuara ruse me raketa ndaj infrastrukturës civile.

Me ftesë të Gjermanisë, vendet e G7-ës mblidhen javën e ardhshme në kryeqytetin rumun Bukuresht. Në fokus, mbështetja për furnizim me energji elektrike për Ukrainën. Sulmet ajrore ruse në infrastrukturën ukrainase, kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, i quajti “krim të patolerueshëm e çnjerëzor”. Sipas saj, presidentit Putin, “i pëlqen të zhysë popullin e Ukrainës në të ftohtë e në errësirë me raketat e tij”.

Ukraina dhe Rusia këmbyen 100 të burgosur, nga 50 secila palë. Mes të burgosurve të kthyer ukrainas janë edhe të mbijetuarit nga rrethimi i fabrikës së hekurit e çelikut, Azovstal. Ministria ruse e Mbrojtjes dhe kreu i separatistëve të mbështetur nga Rusia në rajonin e Donjeckut, Denis Pushilin, konfirmuan se forcat ukrainase i dorëzuan Moskës 50 të burgosur.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, sot u zotua se Aleanca Veri-Atlantike do të ndihmojë Ukrainën të mbrohet në luftën kundër Rusisë për aq kohë sa të ketë nevojë. Gjithashtu, tha se NATO do të ndihmojë vendin e shkatërruar nga lufta t’i transformojë forcat e armatosura në një ushtri moderne, sipas standardeve perëndimore.

Në një konferencë për shtyp, para takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s, takim që do të mbahet javën e ardhshme në Rumani, Stoltenberg kërkoi nga vendet anëtare që individualisht ose në grup, të vazhdojnë të ndihmojnë Ukrainën me armë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. NATO si organizatë, nuk dërgon armatim.

NATO do të vazhdojë të qëndrojë pranë Ukrainës për aq kohë sa të ketë nevojë. Ne nuk do të tërhiqemi!