Bota

Lufta në Ukrainë, bombardime në Kharkiv!

Rreth pesë muaj nga agresioni rus në Ukrainë, trupat e Moskës vazhdojnë bombardimet, më të fundit në rajonin verilindor të Kharkivit. Sipas burimeve zyrtare, raketat u hodhën rreth orës 03:00 të mëngjesit me atë lokale. Sulmi i radhës shënohet pas atij të një dite më parë në qytetin historik Vinnytsya, në Ukrainën qendrore. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të paktën 39 personat e pagjetur. Të paktën 23 vetë humbën jetën dhe mbi 50 të tjerë u lënduan. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e quajti sulmin “akt të hapur terrorizmi”. Më herët, Rusia vendosi kontrollin në Lisiçansk.

Gjatë një konference ndërkombëtare për krimet e luftës, vendet perëndimore që kundërshtojnë pushtimin rus në Ukrainë, pranuan të mbështesin ndjekjen penale të të dyshuarve e të vënë në dispozicion fondet dhe ekspertët për një gjykatë ndërkombëtare. Të pranishmit u shprehën të gatshëm të bashkëpunojnë me Gjykatën e Hagës. Përveç të vrarëve nga sulmet ushtarake ruse, në mënyrë të përsëritur, pushtimi i Ukrainës është ngjyrosur nga raportet e mizorive të kryera nga pushtuesit, si përdhunimet e vrasjet pa gjyq. Pasi zona në periferi të Kievit, Bucha u çlirua në prill, në rrugë u gjetën trupa të civilëve.

Gjithashtu, Rusia akuzohet për sulme ndaj teatrove, shkollave, spitaleve dhe qendrave tregtare kur asnjë prej tyre nuk do të konsiderohej objektiv i kohës së luftës dhe për disa, u bë mjaft e qartë se strehonin civilë. Rusia i ka mohuar të gjitha akuzat e pretendon se në Ukrainë po ndërmerret një operacion special ushtarak për të çmilitarizuar e denazistifikuar vendin fqinj. Të tilla pretendime shpërfillen duke u ironizuar gjerësisht nga Perëndimi.

Ndërkohë, udhëheqësit e financave nga ekonomitë kryesore të G20-ës po mblidhen në Bali, për atë që Indonezia mikpritëse thotë se është një takim vendimtar për të zbutur pasojat katastrofike humanitare nga lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës. Gjatë vizitës në Izrael, presidenti amerikan, Joe Biden tha se “lufta e Putinit duhet të shndërrohet në një dështim strategjik”.