Bota

Lufta në Ukrainë, sot dita e 157-të!

Dita e 157-të e luftës në Ukrainë. Bombardimet ruse në Donjeck shkaktuan vdekjen e pesë civilëve e plagosjen e 13 të tjerëve. Shifrat i jep The Kyiv Independent, që citon guvernatorin e Donjeckut, Pavlo Kyrylenko.

Bombardime edhe në Kharkiv. Kryebashkiaku Ihor Terekhov raportoi për sulme ajrore të pushtuesve në distriktin Slobidsky të Kharkivit, rreth orës 03:00 të mëngjesit. Siç bën të ditur The Kyiv Independent, një shkollë u përfshi nga flakët, si pasojë e bombardimeve. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e cilësoi “krim lufte” bombardimin rus ndaj një burgu në lindje të Ukrainës e që shkaktoi mbi 50 viktima.

U informova mbi sulmin e pushtuesve në Olenivka (vendi ku gjendet burgu), në rajonin Donjeck. Ky është një krim i luftës ruse, një vrasje masive dhe e qëllimshme e të burgosurve ukrainas të luftës. Më shumë se 50 viktima…

Ndërkohë, Zelensky shkoi vetë në Odesë për të vëzhguar nga afër nisjen e dërgesave me drithëra, në kuadër të rifillimit të eksportit.
Nga ana tjetër, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe homologu i Moskës, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov patën një përballje direkte, por të vështirë, në një bisedë telefonike.

Zyrtarisht, u raportua se ishin të shumta temat e nxehta të diskutuara dhe Blinken bëri të qartë se “bota, asnjëherë nuk do të njohë një aneksim të mundshëm të Ukrainës nga Rusia”.

Sergey Lavrov vuri në dukje se “objektivat e operacionit ushtarak special do të arrihen”. Për Moskën zyrtare, lufta në Ukrainë, e nisur më 24 shkurt të këtij viti është “operacion special ushtarak për çmilitarizimin e denazistifikimin” e vendit fqinj dhe jo agresion. Po ashtu, shefi i diplomacisë së Uashingtonit, Blinken i kërkoi kolegut Lavrov, që Rusia të respektojë marrëveshjen e arritur pak ditë më parë në Stamboll të Turqisë për grurin ukrainas dhe të lejojë nisjen e anijeve të Ukrainës, të bllokuara në porte.