Bota Botë e Çuditshme

Macja që u bë virale në rrjet ‘mbledh’ shumën e parave për bamirësi pas pushtimit të Ukrainës!

Një mace ukrainase që u bë virale në TikTok është larguar për në Francë dhe ka ‘mbledhur’ 7,000 £ për bamirësi që ofrojnë ndihmë për kafshët që ndodhen ende në frontin e luftës në Ukrainë. Macja e quajtur Stepan, llogaria e së cilës ‘Loveyoustepan’ në Instagram ka 1.2 milionë ndjekës, u detyrua të ikte me pronaren e saj nga shtëpia e tyre në Kharkiv, në veri-lindje të Ukrainës, kur Rusia filloi bombardimin e qytetit muajin e kaluar.

 

Pronarja e maces 13-vjeçare, Anna përshkroi përvojën e zgjimit nga shpërthimet që tronditën dritaret e banesës së saj, duke e bërë atë të kuptonte se lufta kishte ‘trokitur’ në shtëpinë e tyre më 24 shkurt. Në një postim në Instagram ajo tha:

Predhat godasin çdo ditë shtëpitë fqinje, shtëpitë na digjen para syve. Shtëpia jonë u dëmtua gjithashtu në ditën e tetë pasi një predhë fluturoi në ballkonin e fqinjëve. 

Pasi kaluan dy netë në një bodrum, ajo dhe Stepan mundën të largoheshin nga Kharkiv dhe udhëtuan për në Lviv në një udhëtim 20 orësh me tren. Nga atje ata mundën të kalonin kufirin për në Poloni pasi qëndruan në radhë me më shumë se 4000 njerëz për nëntë orë. Më pas atyre iu ofrua ndihmë nga Shoqata Botërore e Influencuesve dhe Blogerëve për të udhëtuar në Francë, ku do të qëndrojnë deri në ditën kur mund të kthehen në shtëpi.

Që kur arriti në Francë, pronarja e Stepan ka përdorur mediat sociale për të mbledhur më shumë se 10,035 dollarë amerikanë (rreth 7,625 £) për pesë organizata bamirësie. Paratë e mbledhura do të dhurohen për ‘Happy Paw’, ‘UAnimals’, ‘Mykolaiv Zoo’, ‘XII Months’ dhe ‘Plyushka’, për të ofruar ndihmë për kafshët e prekura nga lufta në Ukrainë. Anna tha:

Kjo luftë është një tragjedi e madhe për vendin dhe popullin tim. Shoqata Botërore e Influencuesve dhe Blogerëve doli me idenë e mbledhjes së fondeve dhe organizoi procesin dhe ne jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e popullit të Mbretërisë së Bashkuar.