Së fundmi, kanë mbërritur në vendin tonë qytetarët e parë afganë, të cilët u evakuuan pas pushtimit të Afganistanit nga talebanët. Mësohet se avioni që transportonte grupin e parë të të shpëtuarve, me rreth 121 afganë, mes tyre 11 foshnja mbërriti në aeroportin ‘Nënë Tereza’ në orën 03:15. Grupi i parë i nisur nga Kabuli ka bërë një zbritje në Tbilisi të Gjeorgjisë për t’u nisur më pas drejt Shqipërisë.
Afganët kanë mbërritur me një avion civil i cili ka zbritur në zonën ushtarake të aeroportit. Ata do të strehohen në struktura hoteliere, ndërsa do t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore në stendat e ngritura posaçërisht në Rinas.
Afganët e mbërritur tashmë në vendin tonë, një numër i konsiderueshëm prej tyre janë gra dhe fëmijë, të cilët u larguan nga vendi i tyre pasi rrezikoheshin nga talebanët. Qytetarët afganë janë pritur nga Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, drejtues të FA dhe policisë së shtetit.
Kryeministri Edi Rama ka thënë me herët se në Shqipëri mund të strehohen deri në 4000 afganë, Durrësi, Tirana dhe Berati janë vendet e mundshme pritëse.
Rikujtojmë, se tani që talebanët kanë shtënë në dorë gjithë Afganistanin, tanimë kanë filluar që të shijojnë edhe luksin. Në një video të bërë virale në rrjete sociale, shihet se si një grup, përdorin helikopterin amerikan “Blackhawk” për të bërë xhiro, jo nga ajri, por përgjatë pistës. Javën e kaluar këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan ngriti alarmin se talebanët kanë akses në mbi 200 mijë armë zjarri, 20 mijë makina dhe qindra mjete ajrore të dhuruara për ushtrinë afgane.