Aktualitet

Më 18 shtator nis Censi i Popullsisë dhe Banesave/Kryeministri Rama mesazh Athinës për minoritetet!

Më 18 shtator nis Censi i Popullsisë dhe Banesave. Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e këtij procesi dhe nevojën që të kryhet sipas standardeve të BE-së. Shefi i qeverisë nënvizoi se është me rëndësi që numri i shqiptarëve që jetojnë në vend të jetë real.

Eshtë e rëndësishme për vendin tonë që numri i shqiptarëve që jetojnë në këtë vend të jetë real, që askush të mos thotë as që janë shumë dhe se i keni shtuar rrugëve dhe as që janë pak e duke qenë pak jeni një vend që nuk meriton vëmendjen që pretendoni.

Në konferencën për Censin e Popullsisë, kryeministri u shpreh krenar për mënyrën si trajton minoritetet shteti shqiptar. Rama vuri në dukje se për minoritetet kemi një ligj optimal e rrezatues. Sipas tij, askush nuk mund t’i jap leksione Shqipërisë për mënyrën si trajtohen minoritetet, si një mesazh ky për Athinën që akuzon Tiranën lidhur me arrestimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i akuzuar për shit-blerje votash para vendoreve të 14 Majit 2023.

Jam shumë krenar për shumë gjëra për Shqipërinë, por një nga gjërat që më bën më shumë krenar është se Shqipëria ka legjislacionin më të theksuar europian. Legjislacionin e ri për minoritetet e kemi bërë pa na e kërkuar njeri dhe deshëm të bënim legjislacion optimal rrezatues. Jam krenar për mënyrën si Shqipëria e ka trajtuar komunitetin minoritar. Nuk ka asgjë të ndryshme. Nuk ka asnjë minoritar të vetëm që të ngrihet dhe të thotë: kam një problem se lidhet me faktin se jam në një etni tjetër. Ne e dinim shumë mirë se në çdo aspekt ka gjëra për të përmirësuar.  Leksione për minoritetet, Shqipërisë nuk i jep dot askush, asnjë vend, zero.

Për shefin e qeverisë, institucioni i INSTAT-it, tashmë është çliruar nga politika, ndërsa theksoi se prej 4 vitesh kanë vijuar përgatitjet për kryerjen e këtij procesi.

Në konferencë ishte i pranishëm edhe Luigi Soreca, i ngarkuari me punë i Bashkimit Europian në Shqipëri. Për kryeministrin Rama, prania e tij është ogur i mirë për procesin. Vetë Soreca tha se është e rëndësishme që ky Cens të ketë informacion të besueshëm statistikisht. Janë 4.8 milion euro në grante për INSTAT-in për mbështetjen e këtij procesi.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë i 12-ti, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912. Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 synon të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Europën.