Bota Tech

Më shumë kërkesa mbi informacione për përdoruesit e Facebook-ut e Instagramit, në rajon kryeson Serbia!

Nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, Serbia dërgon më shumë kërkesa te kompania Meta, për të marrë informacione lidhur me të dhënat e përdoruesve të rrjeteve sociale Facebook e Instagram. Nga 2013-ta, çdo 6 muaj, Meta publikon raporte transparence në faqen e saj zyrtare. Këtu përfshihen dhe kërkesat që bëjnë institucionet shtetërore për ndarjen e të dhënave. Shtetet po kërkojnë të dhëna nga Meta, si pjesë e hetimeve zyrtare. Shumica e kërkesave lidhen me çështje penale, si vjedhjet dhe rrëmbimet.

Në shumicën e rasteve kërkohen të dhëna bazë, si emri, data e regjistrimit dhe kohëzgjatja e përdorimit të rrjetit social. Për më shumë, shtetet mund të kërkojnë të dhëna për IP adresat apo për përmbajtjen e llogarive.

Për çdo kërkesë që pranojmë, me kujdes kontrollojmë nëse ligjërisht është e pranueshme. Mund t’i refuzojmë apo të kërkojmë më shumë detaje lidhur me kërkesat, nëse janë shumë të gjera apo të paqarta.

Si më 2021-shin, ashtu dhe vitin e kaluar, Serbia bëri numrin më të madh të kërkesave, krahasuar me shtetet e tjera në rajon. Më 2022-shin, Mali i Zi drejtoi më pak kërkesë, ashtu si Kosova më 2021-shin.

Sa i përket statistikave në nivel global, vitin e kaluar shtetet dërguan mbi 476 mijë kërkesa te Meta, 51 mijë më tepër se më 2021-shin kur numri ishte pak më shumë se 425 mijë.

Në Ballkanin Perëndimor, Serbia kryeson dhe kur bëhet fjalë për kërkesat për veprime urgjente, ndonëse numri i këtyre kërkesave ra vitin e kaluar krahasuar me 2021-shin. Numri më i vogël i kërkesave të tilla, vetëm një u dërgua nga Maqedonia e Veriut vitin e kaluar.

Kompania Meta nuk ndan të gjitha të dhënat që kërkojnë shtetet, por një pjesë e tyre refuzohet apo kthehet mbrapsht për plotësim. Në raportin për transparencë, Meta publikon dhe përqindjen e informacioneve që kompania ndan pas kërkesave. Këto statistika përfshijnë rastet ku Meta ka ofruar informacione për përdorues pas kërkesës së qeverisë së ndonjë shteti.

Vitin e kaluar, Kroacia kishte shkallën më të lartë në rajon të kërkesave të përmbushura pjesërisht apo plotësisht, me mbi 85%, ndjekur nga Serbia me 10% më pak. Kosova pati shkallën më të ulët të përmbushjes së kërkesave, 19%.

Kërkesat e shteteve mund të aplikohen edhe për llogaritë e Meta-s në rrjetet sociale. Më 2022-shin, numri i porosive që ishin subjekt i kërkesave shtetërore ishte më i larti në rastin e Serbisë për rajonin.