Bota Rajoni

Moti i keq me shira e përmbytje në Bosnjë, Kroaci e Itali/8 viktima në Itali!

Në Ballkan, Bosnje-Hercegovina dhe Kroacia po përballen me përmbytje për shkak të reshjeve intensive të shiut. Lumenjtë Una e Krushnica dolën nga shtretërit. Në Bosnjë u shpall gjendja e jashtëzakonshme në komunat Novi Grad, Kostajnica, Bosanska Krupa e Bihaç. Në Novi Grad u pezullua mësimi e po kështu në Obrovac të Kroacisë. Disa vende kanë mbetur pa energji elektrike. Shumë banorë u detyruan të largohen nga shtëpitë në Bosnjë, por shkalla e dëmeve nuk dihet ende.

Në Kroaci, rreth 300 trupa ushtarake u aktivizuan për të ndihmuar njerëzit në nevojë, thanë autoritetet kroate. Ekipet u dërguan ushqime banorëve të bllokuar në shtëpitë e tyre. Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç bëri të ditur se qeveria do të ndajë fonde për të ndihmuar të prekurit nga përmbytjet si pasojë e motit të keq.

Në Itali, po për shkak të motit, të paktën tetë vetë humbën jetën në Emilia Romagna. 14 lumenj dolën nga shtrati duke përmbytur 24 komuna e 4 mijë persona u evakuuan. 50 mijë vetë kanë mbetur pa energji elektrike.

Mbrojtja civile tha se ekipet e shpëtimit mund të jenë në rrezik, ndërsa për fat të mirë u shpëtuan dy të porsalindura në Castrocaro Terme. Bashkia e Bolonjës bën të ditur se sistemi rrugor është i rrezikuar në shumë zona të qytetit dhe reagoi me një deklaratë:

Ftojmë popullsinë të bëjë vetëm udhëtime vërtet urgjente e të shmangë ato që nuk janë të nevojshme!

U mbyllën disa shkolla, ndërsa lëvizjet e trenit ndaluan. Pjesa Romagna e A14-ës është përmbytur.

Reagoi kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cila foli për gatishmëri maksimale për të ndihmuar Emilia-Romagnan.

Qeveria e Italisë do të bëjë gjithçka mundet për të mbështetur rajonin që përballet me emergjencën nga moti i keq.

Edhe në vendin tonë dominojnë kushte atmosferike të paqëndrueshme. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, krahas alternimeve të vranësirave e kthjellimeve priten dhe reshje shiu thuajse në të gjithë territorin. Sa i përket temperaturave, ato variojnë në vlerat 7-23 gradë celcius.