Bota

Moti i keq, vazhdon alarmi i kuq në Emilia Romanja të Italisë/Rrëzohet një helikopter!

Ende mbetet në fuqi alarmi i kuq për përmbytjet nga moti i keq, me shira intensivë në Emilia Romanja të Italisë ku të paktën 14 vetë kanë humbur jetën. Parashikimet e sinoptikanëve paralajmërojnë më shumë shi, me një ciklon të dhunshëm që vjen nga Tunizia.

Në provincën e Ravenës, një helikopter i angazhuar në kontrollimin e linjave të energjisë elektrike u rrëzua. Në bord ishin katër persona, tre të cilëve të padëmtuar dhe një i plagosur. Në të gjithë provincën e Ravenës, më shumë se 16% e territorit është evakuuar.

Moti i keq nuk kurseu as Kalabrinë ku nga erërat e forta, një burrë u godit për vdekje nga një pemë që u rrëzua ndërsa viktima shëtiste me qenin e tij.

Sipas burimeve zyrtare, kryeministrja italiane Giorgia Meloni mund të largohet më herët nga samiti i G7-ës në Hiroshima të Japonisë, për t’u kthyer në Itali që të ndjekë nga afër emergjencën e shkaktuar.

Shumë liderë botërorë kanë shprehur solidaritetin e tyre me shefen e qeverisë së Romës. Presidenti amerikan, Joe Biden u pa të përqafonte Melonin dhe i përcolli ngushëllimet e mbështetjen e tij.

Ndërkohë, strukturat e mbrojtjes civile janë vënë në lëvizje edhe në Piemonte. Balta detyroi mbylljen e 500 rrugëve. Bolonja rihapi një pjesë të vjetër të A1-shit për të shmangur rrëshqitjet e dheut. Për të mbështetur qytetarët e zonave më të goditura, Autoriteti për Energjinë Elektrike, Gazin dhe Sistemin Hidrik vendosi pezullimin e pagesave derisa të rikthehet normaliteti.

Vullnetarë nga e gjithë Italia janë në terren për të ndihmuar popullatën e prekur nga pasojat e motit të keq në Emilia Romanja.  Situata u përkeqësua dje, veçanërisht rreth qytetit të Ravenës, ku lumenjtë dolën përsëri nga shtrati. Rrëshqitjet e dheut po rezultojnë të jenë një rrezik i madh.

Disa komunitete po luftojnë për të ruajtur furnizimin me ushqim dhe ujë të pijshëm. Ndërkohë, qeveria italiane nën drejtimin e kryeministres Giorgia Meloni planifikon të mbajë një mbledhje të kabinetit të martën e 23 majit, për të vendosur mbi masat e ndihmës për zonat e prekura.