Rajoni

Ndihmë ndërkombëtare Bosnjës pas përmbytjeve vdekjeprurëse!

Ekipet e shpëtimit nga shtetet fqinje të Bosnjë e Hercegovinës në rajon, si dhe nga Bashkimi Evropian iu bashkuan përpjekjeve për të gjetur njerëzit e zhdukur nga vërshimet e rrëshqitjet e dherave, si dhe për pastruar rrënojat. Vendi ballkanik ka kërkuar ndihmën e Unionit pasi reshjet intensive të shiut të enjten e të premten e kësaj jave shkaktuan përmbytje e rrëshqitje dherave, që kanë lënë të vdekur të paktën 18 persona, referuar bilancit zyrtar.

Po ashtu, fatkeqësia natyrore ka shkatërruar rrugë e ura. Dhjetëra vetë mbetën të plagosur. Zyrtarët thanë se të paktën 10 persona ende konsiderohen të zhdukur, shumica nga fshati Donja Jabllanica, në jug të Bosnjës, ku ka pasur rrëshqitje të mëdha të dherave.

Luigi Soreca, kreu i misionit të Bashkimit Europian në Bosnje, shkroi në X se “Blloku evropian qëndron me Bosnjën dhe se ekipet e shpëtimit po shkojnë për të ndihmuar këtë shtet”.

Autoritetet boshnjake thanë se shkuan ekipet e shpëtimit nga Kroacia, të cilit sot i bashkohet edhe një tjetër nga Serbia, i pasur nga një tjetër slloven.

Mali i Zi, Maqedonia e Veriu, Polonia, Republika Çeke dhe Turqia po ashtu kanë ofruar ndihmë për vendin.

Reshjet e shiut në zonat e komunave Jabllanicë, Konjic, Kisjelljak, Fojnicë dhe Kreshevë kanë shkaktuar probleme të mëdha për banorët. Numri i viktimave mund të jetë më i lartë.

Po ashtu, për shkak të vërshimeve, u shty mbajtja e zgjedhjeve të sotme lokale në Jabllanicë, Konjiç, Kishelak e Kreshevo. Kështu vendosi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjë e Hercegovinës. Në Fojnica, votimet janë shtyrë në tri qendra.

Mësohet se vendimi për zhvillimin e zgjedhjeve në këto komuna do të merret pasi të plotësohen kushtet për mbajtjen e tyre, siç deklaruan autoritetet. Përveç Bosnjës, përmbytjet nga moti i keq nuk kanë kursyer as vendin tonë, Malin e Zi dhe Kroacinë në Ballkan.