Rajoni

Në Bosnje imponohet njohja e genocidit, serbët kërkojnë shpërbërjen!

Duke përdorur kompetencat e Bonit, përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko vendosi ndryshime në Kodin Penal, me të cilat ndalohet dhe dënohet mohimi i genocidit e lartësimi i kriminelëve të luftës. Këto kompetenca i japin të drejtë të shtyjë përpara vendime që refuzohen nga aktorë politikë vendas.

Me vendimin e fundit, parashikohet burg nga 3 muaj në 3 vjet për të gjithë ata persona që publikisht nxisin dhunë ose urrejtje mbi baza etnike e fetare. Ndërkaq, kush mohon genocidin, e minimizon apo përpiqet ta justifikojë, rrezikon nga 6 muaj në 5 vjet heqje lirie.

Nëse vepra është kryer në atë mënyrë që rrezikon të prishë rendin publik ose përbën kërcënim e ofendim, autori dënohet me jo më pak se tre vjet burg. Të paktën tre vjet burg edhe për ata që akordojnë vlerësime për të dënuar për krime lufte e kundër njerëzimit dhe genocid.

Pas njoftimit të vendimit të Përfaqësuesit të Lartë, Milorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnjes, tha se “Valentin Inzko nuk ka të drejtë të imponojë një ligj që ndalon mohimin e genocidit”, duke shtuar se ky vendim është “i pabazuar”.

Republika Srpska e hedh poshtë këtë vendim. Genocidi nuk ndodhi në Srebrenicë. Serbët nuk duhet ta pranojnë këtë vendim, kjo është një gozhdë në arkivolin e Bosnje e Hercegovinës. Pas kësaj, vendi nuk mund të funksionojë. Ne do të thërrasim një seancë të Asamblesë së Republika Srpska këtë javë. Republika Srpska duhet të fillojë procesin e shpërbërjes, nuk ka dialog në Bosnje!