Rajoni

Bosnjë, rritet numri i viktimave nga zjarri në azilin në Tuzlla!

Në Qendrën Klinike të Tuzllës në Bosnjë-Hercegovinë, ndërroi jetë një person tjetër, duke e çuar në 13 numrin e viktimave nga zjarri që tre ditë më parë përfshiu shtëpinë e të moshuarve. Kjo u bë e ditur sot nga ky institucion shëndetësor.

Sipas rezultateve paraprake të autopsive të kryera deri më tani dhe që mjekët ia komunikuan verbalisht Prokurorisë, 11 persona gjetën vdekjen si pasojë e asfiksisë, pra helmimit nga monoksidi i karbonit.

Nga Prokuroria e Kantonit të Tuzllës, dje u njoftua se hetimi në vendngjarje ka përfunduar dhe se ky institucion do t’i dorëzojë raportet pranë Sektorit të Policisë Kriminale të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Rreth shkaqeve të zjarrit do të informojmë publikun pasi të analizohen raportet dhe gjetjet e ekspertëve e hetuesve, raportoi prokuroria. Në Tuzlla janë shpallur katër ditë zie.

Drejtori i shtëpisë së të moshuarve në Tuzlla, Mirsad Bakalloviç dha dorëheqjen të mërkurën. Ky institucion financon veten, nga të ardhurat që siguron dhe sipas deklaratës së drejtorit dhënë për mediat në janar, shtëpia e të moshuarve nuk merr para nga asnjë buxhet.

Qyteti i Tuzllës është pronar i ndërtesës së azilit dhe emëron drejtuesit, por nuk ka subvencione ose fonde nga buxheti.

Kryeministri i Federatës, Nermin Nikshiç premtoi ndihmën e Qeverisë së Federatës së Bosnjë- Hercegovinës për kujdesin e personave të vendosur në shtëpinë e të moshuarve.