Rajoni

Në mars pritet të fillojë gjykimi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi!

Zyra e Prokurorit të Specializuar shprehet e gatshme që gjykimi ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të fillojë më 1 mars të këtij viti. Gatishmëria shprehet pavarësisht volumit të punës, procedurave e dokumenteve që duhet të shqyrtohen. Gatishmërinë për fillimin e gjykimit në muajin mars e treguan edhe avokatët mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emerson tha se ekipi i tij është i gatshëm për fillim të gjykimit në muajin mars. Por, para vetes kemi një periudhë jashtëzakonisht intensive pune deri në fillimin e gjykimit. Avokatët mbrojtës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, ZPS ranë dakord të mos lexohet aktakuza në fillim të gjykimit. Por, ZPS-ja do të dalë me një deklaratë hyrëse. Po kështu avokatët.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, shprehu qëndrimet e tij duke thënë se “pret që ky gjykim të jetë më i gjatë nga sa mendohet”, pra më shumë se 5 vjet. Gjykata rezervon të drejtën që t’i kërkojë Prokurorisë të zvogëlojë numrin e dëshmitarëve apo të shmangë thirrjen e përsëritur të tyre në proces. Duke iu përgjigjur shqetësimit të trupit gjykues, ZPS-ja konfirmoi se janë mbi 300 dëshmitarë, por nuk pritet që të gjithë të shkojnë në sallën e gjyqit për të dëshmuar. ZPS-ja tha se në disa raste, do të mbështetet në dëshmitë e tyre.

Ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte e kundër njerëzimit. Ish-eprorët e UÇK-së u arrestuan nëntorin e vitit 2020. Që nga ajo kohë ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.
Dyshohen për vepra penale që kanë të bëjnë me ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë e vrasje, si edhe burgosje, të tjera akte çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave e përndjekje, që sipas Dhomave të Specializuara janë kryer mes marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa zona të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës e Cahan. Në nëntor të vitit të kaluar dha dorëheqje kryeprokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Jack Smith. Smith, i cili i ishte bashkuar Zyrës së Prokurorit të Specializuar në vitin 2018 ishte i ngarkuar me hetimin e krimeve të luftës në Kosovë. Në Amerikë u ngarkua me hetimet penale për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara nga ana e ish-presidentit Donald Trump dhe mbi rolin e tij në trazirat e 6 janarit 2021 në Kongresin Amerikan. Smith u zëvendësua nga Alex Whiting. Më 16 dhjetor 2022, Gjykata Speciale, dënoi me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.