Politikë

Nesër betohet presidenti i ri, grupi i Berishës bojkoton seancën: Zgjedhja e Begajt, antikushtetuese

Bajram Begaj do të zbresë nga llozhat këtë të dielë për t’u betuar në Kushtetutë përpara Kuvendit dhe për t’u nisur drejt Presidencës, ku do të mbaj një mandat 5 vjeçar.

Seanca në të cilën do të mbahet betimi i Begajt është thirrur të zhvillohet në orën 18:00.

Ky moment do të shënoje edhe marrjen e fuqisë së plotë si kryetar i ri i shtetit nga Bajram Begaj. Pas betimit dhe fjalës para deputetëve, ceremonia pritet te zhvendoset në një tjetër godinë, atë të Presidencës.

Kujtojmë se Partia Demokratike nuk mori pjesë në votimin për zgjedhjen e Begajt në postin e Presidentit, duke shprehur rezerva për procedurën e zgjedhur nga PS.

Burime për TAR pohojnë se Partia Demokratike e udhëhequr nga Sali Berisha, pra mbështetësit e tij, do ta bojkotojë edhe seancën kur do të betohet Begaj, për shkak se e cilëson zgjedhjen e tij si antikushtetuese.

Pas seancës, Begaj do të niset drejt institucionit të Presidencës. Në orën 19.30 Ilir Meta do presë pasardhësin e tij për t’i dorëzuar simbolikisht çelësat e institucionit që ai do drejtojë për 5 vite. Meta do ta presë përmes një ceremonie shtetërore për t’i dorëzuar zyrtarisht detyrën. Tekstin e betimit në Presidencë, Begajt do t’ia lexojë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushaj.

Ndryshe nga paraardhësi i tij, Bajram Begaj do ketë në krah zonjën e parë të shtetit për të pritur të ftuarit.

Pas marrjes së mandatit, Begaj do të përshëndes Metën, duke nisur një cikël të ri në karrierën e tij, këtë herë si kryetar i Shtetit shqiptar. Bajram Begaj u zgjodh presidenti i ri i Shqipërisë në qershor me 78 vota që ishin në favor të tij.