Bashkimi Europian bën thirrje që nesër zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës të kalojnë në mënyrë paqësore e të gjitha palët të përmbahen nga aktet e dhunës. Për më 23 prill, qytetarët me të drejtë vote në komunat me shumicë serbe Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan e Zubin Potok janë thirrur të zgjedhin kryetarët e rinj. Në Leposaviç e Zveçan votohet edhe për këshillat komunalë. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano:
Që kur serbët u larguan nga institucionet në veri të Kosovës në nëntor të vitit 2022, BE-ja dhe partnerët u angazhuan me të dyja palët për të ulur tensionet e që serbët e Kosovës të përmbushin detyrimin nga dialogu e të kthehen në institucione. Deri tani, pak përparim është arritur në këtë pikë. Duhet të kthehemi në situatën ku serbët e Kosovës marrin pjesë në mënyrë aktive në qeverisjen lokale, polici e gjyqësor në veri të Kosovës. Na duhet që të dy palët të luajnë rolin e tyre në këtë drejtim.
Në zgjedhje do të garojnë 10 kandidatë dhe vetëm një është nga komuniteti serb. Një tjetër u bë pjesë e garës, por u tërhoq tre ditë para votimeve. Referuar bojkotit të Listës Serbe, Stano sërish shprehu zhgënjim:
Eshtë e domosdoshme që zgjedhjet të mbahen në kushte paqësore dhe BE fton të gjitha palët që të tregojnë përmbajtj!
Stano përmendi dhe marrëveshjen e marsit mes Kosovës e Serbisë, që u arrit në Ohër të Maqedonisë së Veriut e që përfshin pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Kosovës.
Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës e Serbisë dhe aneksi për zbatimin e saj që u arrit në Ohër më 18 mars ishin hapa të mëdhenj. Ato hapin rrugën drejt normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve. Pjesë themelore e zbatimit të këtyre marrëveshjeve do të jetë kthimi i qëndrueshëm i serbëve në institucionet e Kosovës, edhe në qeverisjen lokale.
Nga Prishtina e Beogradi, ai kërkoi që prioritet të kenë kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Lista Serbe, si edhe zyrtarët në Beograd, kanë vendosur dy kushte: Formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.