Bota

Nis transporti i drithërave nga porti i Odesës!

Fillon transporti i drithërave ukrainase. Ukraina dhe Turqia konfirmuan se nga porti i Odesës, sot u nis ngarkesa e parë. Njoftimi vjen mes raportimeve se Rusia ka intensifikuar bombardimet në jug të Ukrainës. Ministri ukrainas i Infrastrukturës, Oleksandr Kubrako, tha se mjeti lundrues “Razoni”, i regjistruar në Sierra Leone, u largua nga porti i Odesës në mëngjes. Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes së Turqisë deklaroi se pret që anija të shkojë nesër në Stamboll. Kubrako falënderoi të gjitha shtetet partnere dhe Kombet e Bashkuara që mundësuan zbatimin e marrëveshjes për eksportet e drithërave.

Qendra e Përbashkët e Koordinimit, organizatë me seli në Stamboll e që mbikëqyr eksportet, bëri të ditur se anija “Razoni” po transporton misër. Për të zhbllokuar eksportet e drithërave nga tre porte ukrainase, më 22 korrik, Ukraina e Rusia nënshkruan marrëveshje edhe me Turqinë e Kombet e Bashkuara. Bllokimi nisi më 24 shkurt kur Moska filloi agresionin në Ukrainë. Ky vend dhe Rusia janë dy prej eksportuesve më të mëdhenj në botë të drithërave. Tashmë miliona tonë mund të transportohen në mbarë botën, duke zbutur disi krizën ushqimore.

Një ditë më parë, një zëdhënës i presidentit turk Erdogan, tha se “ka gjasa të mëdha që anija e parë me eksporte të drithërave të largohet nga Ukraina në datën 1 gusht, pra sot. Për televizionin turk, Kanal 7, Ibrahim Kalin deklaroi dje: (31 korrik)

Nëse plotësohen të gjitha procedurat, gjasat janë të mëdha që anija e parë do të largohet nga një port ukrainas, po nesër.

Ndërkohë, presidenti Volodymyr Zelensky shkruan në Twitter se të korrat e drithërave të Ukrainës mund të jenë përgjysmuar në krahasim me sasinë e zakonshme, një zhvillim i lidhur me luftën. “Qëllimi kryesor është të parandalojmë krizën globale ushqimore nga pushtimi rus. Për drithërat ka mënyra alternative për t’u transportuar”, – theksoi kreu i shtetit ukrainas, Zelensky.