Bota

Nesër mund të nisin eksportet e para të drithërave të Ukrainës!

Një zëdhënës i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, bëri të ditur se ka gjasa të mëdha që anija e parë me eksporte të drithërave të largohet nga Ukraina nesër, në datë 1 gusht. Për televizionin turk, Kanal 7, Ibrahim Kalin deklaroi:

Nëse deri nesër plotësohen të gjitha procedurat, gjasat janë të mëdha që anija e parë do të largohet nga një port ukrainas, po gjatë ditës së nesërme.

Më herët gjatë kësaj jave, presidenti Volodymyr Zelensky, tha se “Ukraina është e gatshme të nisë eksportet e miliona tonë drithërave”, që aktualisht gjenden në portet në jug të vendit. Nga Turqia dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, (OKB), Kievi pret fillimin e punës në këtë drejtim. Sipas marrëveshjes së rëndësishme të arritur në Stamboll, Ankaraja zyrtare e OKB-ja angazhohen të mbikëqyrin dërgesat, duke u siguruar se bashkë me drithërat, në anije të mos transportohen armë të Perëndimit për Ukrainën. Ky përbën dhe shqetësimin kryesor të Moskës.

Nëntë ditë më parë, më 22 korrik, Kievi dhe Moska sigluan akordin edhe me Turqinë e OKB-në, me synimin që të zhbllokohen tre portet ukrainase të Odesës, Çernomorskut e Juzhnit, që mbahen të bllokuar nga koha kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt të këtij viti.
Marrëveshja mundëson që miliona tonë drithëra e plehra kimikë të mund të dërgohen në mbarë botën, teksa bllokadat në Ukrainë kanë nxitur një krizë ushqimore në botë. Ukraina dhe Rusia janë dy prej vendeve më të mëdhenj eksportues në botë të drithërave.

Ndërkohë, presidenti Volodymyr Zelensky shkroi sot në Twitter se “të korrat e drithërave të Ukrainës mund të jenë përgjysmuar në krahasim me sasinë e zakonshme”, një zhvillim mëse i kuptueshëm, i lidhur me vazhdimin e luftës.

Qëllimi ynë kryesor është të parandalojmë krizën globale ushqimore të shkaktuar nga pushtimi rus. Megjithatë, për drithërat ka mënyra alternative për t’u transportuar.