Celebrities Music Pardon My French Showbiz

Një album i ri do të vijë së shpejti nga “Asgjë Sikur Dielli”, Alban Nimani zbulon gjithçka në Top Albania Radio!

Sot i ftuar në pjesën e parë të emisionit “Pardon My French” ka qenë artisti i njohur Alban Nimani. Ai ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me muzikën dhe karrierën e tij ndër vite. Mbi të gjitha ai ka zbuluar edhe se së shpejti do të sjellë edhe një album të ri.

Së fundmi Albani ka sjellë projektin më të ri muzikor “Ne jemi tlirë” pjesë e The Top List. Në intervistë ai ka zbuluar më shumë se si ka ardhur dhe se si është realizuar.

“Ne jemi tlirë” ishte një projekt spontan, papritmas ndodhi. Ishte këngëtari Brizi të cilin e kam shok dhe ka një studio dhe më thirri një ditë dhe më tha që kam një projekt me Bashkinë dhe duhet të bëj një këngë për sportin, si fushatë. Në fakt më pëlqeu sepse e kisha lënë muzikën pas dore dhe ishte një arsye për t’u rikthyer dhe për të regjistruar. Thashë okej qenka rast i mirë.

Më tej Albani shtoi se:

Mesazhi ishte për njerëzit që të jetë një këngë e gëzueshme. Në njëfarë mënyre për të qenë një këngë që mund të dëgjohet edhe në palestër. Zgjodhëm stilin ‘funky’. Me thënë të drejtën tek teksti e kisha problemin më të madh. Ishte me afat kënga, për tre netë duke bërë kërkime, duke filozofuar. Më duhej një tekst i thjeshtë, i lehtë që njerëzve t’u mbetej në mendje. Unë nuk mundja dhe i shkruaj Fatos Berishës sepse ai ka përvojë. 

Gjatë intervistës artisti i njohur zbuloi gjithashtu se po punon për albumin e ri nga grupi “Asgjë Sikur Dielli”.

Unë e kam si natyrë që të eksperimentoj territore të reja por në muzikë “Asgjë Sikur Dielli” e ka gjetur autostradën e vet dhe nuk e ndërron. Duhet të kesh risi.