Auto & Moto

Një super dhuratë nga kompania për blerësit e makinës Rimac Nevera!

Ata që blejnë makinën elektrike Rimac Nevera, në Evropë do të kenë mundësi që pa pagesë ta mbushin baterinë në një periudhë prej tetë vitesh. Nevera, e prodhuar nga kompania kroate Rimac Automobili, ka njoftuar se ka bashkuar forcat me kompaninë Ionity, një prej operatorëve më të mëdhenj evropian për stacionet e mbushjes së makinave  elektrike.

Sipas marrëveshjes së tyre, ata që blejnë Nevera do të kenë të drejtë një mbushje të pakufishme të baterive në të gjitha stacionet e Ionity në 24 vende të Evropës, për një periudhë 8 vjeçare. Kjo do të thotë se blerësit për dy milionë euro nuk “marrin” vetëm makinën por edhe karikim falas për një kohë të gjatë.

Kujtojmë që makina elektrike Nevera prodhon 1.914 kuaj-fuqi, të mjaftueshme që shpejtësinë nga 0-100 kilometra në orë ta arrijë për 1.81 sekonda, ndërsa atë deri në 300 km/h për 9.22 sekonda. Kjo makinë  përshkon 402 metra për 8.25 sekonda. Shpejtësinë maksimale e ka 412 km/h dhe një rreze veprimi prej 490 kilometra me vetëm një mbushje të baterisë.