Sytë janë kthyer nga Ohri i Maqedonisë së Veriut për takimin e sotëm Kurti-Vuçiç, nga i cili BE-ja dhe Amerika presin hapa domethënës në zbatimin e planit europian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Përmes një letre dërguar sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, anëtarët e Kongresit Amerikan, Jim Himes e Ritchie Torres kërkojnë që nga marrëveshja që mund të arrihet, të respektohet reciprociteti.
Ky dialog është ndërtuar për të arritur marrëveshje përfundimtare e ligjërisht të detyrueshme për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, përfshirë njohjen reciproke.
Ligjvënësit e Kongresit kërkojnë të krijohet Asociacioni i Komunave Serbe në veri, si edhe sugjerojnë diçka të ngjashme në jug të Serbisë për Preshevën, Medvegjën e Bujanocin.
Letra e plotë:
I dashur Sekretar Blinken,
Më 18 mars, presidenti serb, Aleksander Vuçiç e kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohen për të vijuar negociatat me ndërmjetësimin e BE-së.
Ky dialog është ndërtuar për të arritur një marrëveshje përfundimtare e ligjërisht të detyrueshme për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, duke përfshirë njohjen reciproke.
Siç e dini, një nga çështjet më sfiduese për t’u zgjidhur lidhet me dispozitat për të siguruar të drejtat e popullatës pakicë serbe në Kosovë e pakicave të Kosovës në Serbi.
Duke pasur parasysh historinë e konfliktit në rajon, dështimi për të siguruar këto të drejta në mënyrë të barabartë mund të rrezikojë të gjitha të tjerat, siç është edhe marrëveshja.
Pika 11 e planit nuk i përmend të drejtat e pakicave apo që të merren masa që të sigurohen të drejta të tilla. Përfshijeni këtë pikë në marrëveshjen përfundimtare.
Së fundmi është raportuar se një Asociacion i Komunave Serbe do të bëhet pjesë në procesin e dialogut për të siguruar të drejtat e pakicës serbe që jeton në Kosovë.
Ju bëjmë thirrje të kërkoni reciprocitet e për Asosacion të ngjashëm për komunitetin shqiptar që jeton në Serbinë jugore. Ne i qëndrojmë dhe mbështesim fort dialogun e inkurajojmë trajtimin e barabartë të pakicave në të dy vendet.
Ju vlerësojmë për vëmendjen tuaj për këtë çështje,
Jim Himes dhe Ritchie Torres!