Rajoni

Sot takimi Kurti-Vuçiç në Ohër, fokusi te normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç sot takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes vendeve respektive.

Ndërmjetësues të takimit janë shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell dhe i dërguari i Posaçëm i Unionit për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Në cilësinë e vëzhguesit është i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në tryezën e diskutimeve gjendet aneksi i zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Një ditë më parë, kryediplomati Borrell tha se ka pranuar komentet e Kosovës e të Serbisë në lidhje me këtë aneks. Pritet që prej tyre të bëhet një “version i konsoliduar” i dokumentit.

Pastaj, unë shpresoj se Kosova dhe Serbia do të mund të bien dakord për rezultatin përfundimtar të këtyre bisedimeve.

Albin Kurti e Aleksander Vuçiç e kanë pranuar në parim propozimin e Bashkimit Europian për normalizimin e marrëdhënieve. Këtë e bënë gjatë një takimi që zhvilluan në Bruksel muajin e kaluar, më 27 shkurt.

Duhet theksuar se propozimi i Bllokut europian nuk e detyron Beogradin që të njohë Kosovën, por nga të dyja vendet kërkon që të njohin dokumentet e njëra-tjetrës. Këtu është fjala për pasaportat, diplomat dhe targat e makinave. Një tjetër kërkesë drejtuar Prishtinës e Beogradit është që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, si dhe të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mbështetur propozimin e Bashkimit Europian, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman.

Sa i përket axhendës së sotme, fillimisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç do të takohen veç e veç me ndërmjetësuesit europianë. Pas këtyre bisedimeve do të pasojë takimi i përbashkët mes tyre.