Tajlanda konfirmoi sot rastin e parë të njohur në Azi të llojit të ri të lisë së majmunit, i quajtur Clade 1b. I infektuar është një person që kishte udhëtuar në Afrikë. Departamenti i Kontrollit të Sëmundjeve tha se testet laboratorike ndaj 66-vjeçarit evropian konfirmuan se ai ishte i infektuar me Mpox Clade 1b.
Më herët edhe Suedia raportoi rastin e parë me Mpox.
Një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha së fundmi se lija e majmunit, pavarësisht nëse është lloji i ri apo i vjetër, nuk është COVID-i i ri, pasi autoritetet dinë të kontrollojnë përhapjen e tij. “Ne mund dhe duhet ta trajtojmë këtë sëmundje së bashku”-tha Hans Kluge, drejtor i OBSH-së për Evropën, në një konferencë për shtyp.
“Pra, a do të vendosim të ngremë sisteme për të kontrolluar dhe eliminuar linë e majmunit globalisht, apo do të përballemi me një cikël tjetër paniku dhe neglizhence? Mënyra se si do të përgjigjemi tani dhe në vitet në vijim, do të jetë një provë kritike për Evropën dhe botën”-shtoi ai.
Lija e majmunit është një infeksion viral që shkakton puçrra me qelb dhe ka simptoma të ngjashme me gripin. Infeksioni zakonisht është i lehtë, por mund të shaktojë edhe vdekjen. Varianti ‘clade 1b’ ka shkaktuar shqetësim global sepse duket se përhapet më lehtë.