Tani që Europiani u mbyll është koha të bëhen bilancet sidomos ato të Finales në Wembley ku iu dha fund ëndrrës angleze që për herë të parë të ngjiteshin në çatinë e Europës.
Një mbrëmje që nxorri në pah kufizimet teknike të skuadrës së trajnerit anglez Gareth Southgate ndërsa nuk ishte më mirë sjellja sportive e tifozëve, sigurisht jo e të gjithëve por të paktën e atyre që u shfaqën shumë të ngarkuar në takimin me historinë.
Që përpara ndeshjes Itali-Angli, në rrjetet sociale u shfaqën imazhe shqetësuese të atyre që shkelnin flamurin italian. Kjo ndodhte në kohën kur dhjetëra tifozë vendas tentuan të hynin në stadium por u bllokuan e arrestuan nga agjentë të Policisë së Londrës.
Nuk iu shpëtoi fyerjeve as Himni Kombëtar i Italisë ndaj të cilit fishkëllyen thuajse njëherazi rreth 60 mijë të pranishmit në Wembley ndonëse Southgate iu kishte bërë thirrje të shmangej një gjë e tillë e të tregohej respekt! Por kujt i tha!
Pas penalltisë së dështuar të Saka-s, tifozët anglezë nxituan të boshatisnin stadiumin pa pritur për ceremoninë e vlerësimit të fituesve.
Deri këtu fajin e ka populli! Dakord! Po lojtarët?
Edhe djemtë e Kombëtares Angleze nuk dhanë shembull më të mirë! Thuajse të gjithë refuzuan medaljet e tyre të Argjendit edhe pse jo për t’i justifikuar por dihet se veprime të tilla nuk janë të pazakonta e diktohen nga momentet e forta të frustrimit.
Duket se “fair play” anglez na ka lënë shëndenë e ndoshta edhe për këtë, në fund, “Futbolli nuk u kthye në shtëpi!”.