Health & Beauty Lifestyle

Për t’u zgjuar më të lumtur në mëngjes ka disa gjëra që duhet të bëni çdo mbrëmje!

Asnjëherë nuk do të ketë lumturi për ata që nuk vlerësojnë çfarë kanë! Kështu thotë një prej shumë shprehjeve të mençura të Gautama Buddha, themeluesit të budizmit. Të gjithë duam të ndihemi të lumtur, të zgjohemi në mëngjes të buzëqeshur, me mendime mirënjohjeje në kokë e të jemi më aktivë por lumturia nuk sigurohet sa hap e mbyll sytë. Për të na duhet të praktikohemi çdo ditë, që ndjenjat për veten tonë e botën që na rrethon, të jenë sa më pozitive.

Në dekadat e fundit, tema e lumturisë sa vjen e po merr edhe më shumë vëmendje, me studiues të përqëndruar në fushën e “psikologjisë pozitive”. Por, si ta përgatisim veten një natë më parë për një mëngjes të lumtur? Ja 7 mënyrat efektive:

1.Praktikoni mirënjohjen

Mirënjohja është një praktikë popullore që promovon lumturinë. Sipas provave të mbështetura nga kërkimet, mirënjohja funksionon, prandaj psikoterapistja Dawn Delgado sugjeron që para gjumit të rishikoni 10 gjëra për të cilat jeni mirënjohës në jetën tuaj.

Vendosja e vëmendjes sonë te mirënjohja ndikon në neurokiminë e trurit tonë, veçanërisht në çlirimin e dopaminës, një neurotransmetues i ndjenjës së mirë që luan një rol të rëndësishëm në lumturi.

2.Bëni plane argëtuese

Ndonjëherë, gjysma e gëzimit për të bërë diçka argëtuese është planifikimi dhe pritshmëria që çon drejt saj. Për të përfituar nga ky truk që nxit lumturinë, Anisha Patel-Dunn, një psikiatre e certifikuar dhe shefe mjekësore në ‘LifeStance Health’, sugjeron të përdorni kohën tuaj para gjumit për të planifikuar plane ose aktivitete për ditën tjetër duke i dhënë vetes diçka për ta pritur me padurim.

Pavarësisht nëse është të shkosh në kinema, të takosh një mik për kafe apo darkë, apo edhe thjesht të planifikosh një shëtitje në parkun tënd të preferuar, të presësh diçka argëtuese mund të të ndihmojë të zgjohesh duke u ndjerë më i/e lumtur.

3.Rregulloni hapësirën tuaj

“Hapësira rreth nesh ndikon në hapësirën mendore dhe emocionale brenda nesh”,-thotë Delgado, prandaj zgjimi me një lavaman plot me pjata të pista dhe grumbuj rrobash mund t’ju bëjë të ndiheni të mbingarkuar në mëngjes. Për ta korrigjuar këtë, ajo inkurajon marrjen e disa minutave para gjumit për të pastruar shtëpinë tuaj, në mënyrë që të zgjoheni duke u ndjerë të freskët dhe gati për të përballuar çdo gjë që mund të sjellë dita.

4.Përgatituni për ditën tuaj të ardhshme

Ashtu si rregullimi i hapësirës tuaj fizike, hartimi i ditës dhe shkrimi i listës së detyrave tuaja mund të ndihmojnë gjithashtu në vendosjen e një mëngjesi të lumtur. “Kjo nuk do të thotë të krijosh një listë që prodhon ankth për gjithçka”, thotë Delgado. “Thjesht organizojeni dhe jepni përparësi për ta qartësuar mendjen tuaj se si do të shkojë. Kur e bëjmë këtë paraprakisht, mund të zgjohemi duke u ndjerë të sigurt dhe të qartë sepse udhërrëfyesi ynë tashmë është vendosur. Kjo mund të nënkuptojë edhe përgatitjen e ushqimeve të shëndetshme për ditën e ardhshme”.

5.Vizualizoni ditën e nesërme

Ju mund të shijoni një meditim vizualizimi gjatë natës për një mëngjes më të lumtur. Për ta bërë këtë, Delgado rekomandon të vendosni synimet tuaja duke ecur mendërisht gjatë ditës suaj të ardhshme.

Mendoni që të shkojë mirë nga fillimi në fund. Cilat janë gjërat e mëdha që do të ndodhin? Me çfarë sfidash do të përballeni dhe si do të përgjigjeni pozitivisht?

6.Shkruajini vetes një shënim dashurie

Një mënyrë tjetër për të ndriçuar mëngjesin tuaj: Shkruajini vetes një thënie pozitive një natë më parë. “Jepini vetes një mesazh inkurajimi si një mik i mirë”, thotë Delgado. Kjo mund të duket budallallëk në fillim, por zgjimi me një shënim nga ju për ju që thotë gjëra të tilla si, “Ti po bën një punë të shkëlqyer” ose “Kjo do të jetë një ditë e mrekullueshme për ty”, me siguri do t’ju gëzojë pak. Përsa i përket mënyrës se si e jepni mesazhin, Delgado thotë se varet plotësisht nga ju. Ju mund të përdorni një shënim ngjitës dhe ta vendosni në kompjuterin tuaj, apo ta shkruani me buzëkuq në pasqyrën e banjës.

7.Qëndroni larg rrjeteve sociale

Ndërsa mediat sociale shpesh mund të jenë një vend i mrekullueshëm plot meme që të bëjnë të qeshësh me të madhe, ndonjëherë mund të jetë gjithashtu një hapësirë jo shumë e lumtur. “Mediat sociale mund të shkaktojnë stres dhe ndjenja ankthi dhe depresioni tek disa njerëz, pasi është e lehtë të biesh në grackën e krahasimit”, thotë Dr. Patel-Dunn. Pra, ajo rekomandon t’i jepni vetes një pushim nga rrjetet sociale para gjumit për të ndihmuar në uljen e ankthit, duke ju bërë të ndiheni më të relaksuar dhe më të lumtur ditën tjetër.