Gossip Sport

Performanca brilante në fushë e Granit Xhakës “josh” Juventusin?!

Kapiteni i skuadrës së Zvicrës, njëkohësisht futbollisti me origjinë shqiptare, Granit Xhaka është duke shkëlqyer në këtë Kampionat Europian. Duke kaluar fazën e grupeve, shorti përcaktoi që Helvetikët të përballeshin me fituesin e Kupës së Botës, Francën. Zviceranët i eliminuan Les Blues me penallti, derisa koha e rregullt përfundoi 3-3.

Paraqitja brilante e Xhakës në atë takim, bëri që shumë skuadra të kthenin shikimin te mesfushori shqiptar. Sipas asaj që raporton “Calciomercato”, Juventusi është duke e menduar seriozisht transferimin e anëtarit të Arsenalit. Mediumi italian bën të ditur se “Zonja e Vjetër” është e gatshme të bëjë një ofertë rreth 20 milionë euro.

Roma është po ashtu në garë për 28-vjeçarin, pasi ky i fundit ka bërë të ditur se i pëlqen kalimi në kryeqytetin e Italisë. Mirëpo, një interesim nga Juventusi mund t’i ndryshojë mendje Xhakës dhe të pranojë ofertën e Bianaconerëve, para asaj të Giallorossëve.

Rikujtojmë, se menjëherë pas fitores ndaj Francës, Granit Xhaka ka reaguar menjëherë duke u shprehur për këtë fitore shumë të rëndësishme ndaj fituesve të Kupës së Botës. Xhaka, që është edhe kapiten i skuadrës, ka thënë se ata kanë shkruar historinë dhe është shumë krenar për ekipin dhe lojën e shfaqur.

Ndërkaq, për fitoren e Zvicrës ka reaguar edhe Ambasada e Zvicrës në Kosovë. Ambasada ka bërë një postim në llogarinë e tyre në Facebook, duke thënë se ata janë krenar për këtë arritje, derisa kanë përmendur edhe Granit Xhakën si lojtarin e ndeshjes.