Celebrities

Përfundimtare, babai i Britney Spears-it nuk do të jetë më tutori ligjor i së bijës!

Jamie Spears nuk do të jetë më kujdestari ligjor i vajzës së tij, Britney! Ky është vendimi i gjyqtares së Gjykatës së Lartë në Los Anxhelos, Brenda Penny.

Një gjë e tillë cilësohet fitore e madhe për këngëtaren e njohur amerikane, e cila kishte përshpejtuar kërkesën për t’u “çliruar” nga babai. Në seancat dramatike gjyqësore të muajve qershor e korrik, Spears denonconte kontrollin shtypës të babait.

Avokati i yllit të pop-it, Matthew Rosengart, u shpreh “i tronditur” për akuzën sipas së cilës, “prej vitesh, Jamie përgjonte bisedat private të së bijës”.

Tashmë, në vend të Jamie-t, gjyqtarja emëroi si tutor të përkohshëm të pasurisë së Britney-t, John Zabeli-in, përgjegjës për fiancat e saj.

Në seancën e fundit, 39-vjeçarja nuk mori pjesë ndërsa pak kohë më parë, vetë Jamie Spears kërkoi revokimin e plotë të kujdestarisë, të cilën e mbante prej 2008-ës. Avokati Rosengart kundërshtoi, duke vënë në dukje se në këtë mënyrë, babai nuk do të mund të përgjigjej për abuzimet ndaj së bijës jo vetëm në 13 vitet e fundit, por që kur ishte fëmijë.

Kujdestaria ligjore pasoi krizën nervore që Britney Spears pësoi në vitin 2007. Zakonisht, vendoset për njerëzit me çrregullime mendore e për të moshuar që për shkak të demencës, nuk mund të vendosin për veten e tyre.