Aktualitet Lajmet e fundit Politikë

Protesta e Opozitës, përshkallëzohen tensionet, protestuesit përplasen me policinë

Paralizohet Tirana.

Përshkallëzohen tensionet në protestën e thirrur nga opozita.

Protesta e Opozitës ka nisur menjëherë me tensione, përplasje fizike dhe shoqerime në komisariat. Policia ndërhyri duke hedhur ujë me presion dhe spraj lotsjellës për të shpërndarë protestën pranë Bashkisë së Tiranës, ku janë lënduar disa protestues dhe është kërkuar edhe ndihma e ambulancës.

Mes tyre janë edhe deputetët si Luan Baçi, Tedi Blushi, Gazment Bardhi e të tjerë.

Më parë, deputetët Flamur Noka dhe Xhelal Mziu janë përplasur fizikisht me forcat speciale, që penguan tentativën e protestuesve për të bllokuar rrethrrotullimin e Zogut të zi. Po kështu përplasje ka patur edhe në Rrugën e Elbasanit ku një nga protestuesit është transportuar me ambulancë.

Sapo protestuesit e Partisë Demokratike kanë tentuar të bllokojnë rrugët, forcat e policisë kanë ndërhyrë për t’i ndalur. Shkak i përplasjeve ka qenë edhe shoqërimi i menjëhershëm nga agjentë civilë të dy protestuesve pranë Zogut të zi. Policia bën thirrje të vazhdueshme për të mos bllokuar rrugët, veprim që përben vepër penale. Demokratët kanë bllokuar pesë pika kyçe të qarkullimit në kryeqytet, përfshirë edhe zonën e “pallatit me shigjeta” dhe sheshin “Wilson”.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka deklaruar nga protesta e opozitës se policët e vendosur përballë protestuesve janë pa numra identifikimi. Bardhi supozoi se ata mund të jenë “të dërguar të bandave” për të dhunuar deputetët e opozitës ose popullin opozitar. Ai theksoi se nuk lejohet që policët të jenë pa numra identifikimi në tubime.