Bota Sport

Pësoi infarkt në fushën e lojës, reagon trajneri dhe mjeku i kombëtares daneze për Eriksen!

Momente ankthi dhe paniku pati nga të gjithë ne për jetën e Christian Eriksen. Mesfushori i Interit ra në fushë pa ndjenja në minutën e 41-të të sfidës së vlefshme të grupit B për Euro 2020 mes Danimarkës dhe Finlandës para dy ditësh. Atë natë, ai u dërgua me urgjencë në spital pasi pësoi arrest kardiak dhe u gjend i shtrirë në fushë pa ndjenja gjatë ndeshjes së “Euro 2020”.

29 vjeçari i ka dërguar një mesazh shokëve të tij të ekipit se ai është mirë dhe shpreson të kthehet sa më shpejt në fushë. Federata Daneze e Futbollit ka shkruar në një postim në rrjetin social, Twitter rreth bisedës me lojtarin.

Së fundmi ka reaguar edhe mjeku i kombëtares daneze, Mortes Boesen. “Është në humor të mirë dhe të gjitha testet deri më tani duken mirë”-tha ai gjatë konferencës për shtyp ku dhe ka sqaruar gjendjen shëndetësore të Christian Eriksen. Për atë që ndodhi saktësisht mjeku nuk mund të japë përgjigje për momentin.

Ende nuk ka asnjë shpjegim për atë që ka ndodhur dhe kjo është një nga arsyet pse ai është ende në spital. Duhet gjetur se çfarë ka ndodhur. Ai ishte praktikisht i vdekur … Ishte në arrest kardiak. Nuk e di se si e kthyem përsëri në botë, gjithçka ndodhi kaq shpejt. Unë nuk jam kardiolog, nuk mund të hyj në detaje, për këtë ka specialistë.

Lojtarët e ekipit kombëtar danez patën një takim video me Eriksen dhe morën ndihmë nga psikologët. Trajneri Hjulmand gjithashtu foli në konferencën për shtyp dhe rrëfeu një prapaskenë të rëndësishëm:

Christian ishte i shqetësuar për ne dhe familjen e tij, ai tha se nuk mbante mend shumë dhe se ishte i shqetësuar për ne. Është tipike e tij, kjo tregon cfarë lojtari i madh dhe çfarë personi i shkëlqyer është ai. Donte që ne të luanim, ai është një futbollist dhe ndihet më mirë kur luhet futboll. Ne do të përpiqemi të luajmë për të.

Duke folur për polemikat që kishin të bënin me vazhdimin e lojës, trajneri tha:

Unë mendoj se ishte e gabuar të liheshin lojtarët të zgjidhnin midis dy mundësive. Ata ishin nën stres dhe nuk dinin se si po shkonte shoku i tyre. Kam përshtypjen se nuk duhet të kishim luajtur, mbase duhet të hipnim në autobus dhe të shkonim në shtëpi. Por është diçka që e mendoj tani, ishte një vendim i vështirë. Jam krenar për ta, dje ne pamë se çfarë është futbolli: fryma e ekipit, dhembshuria, dashuria. Ishte gjithçka një sinjal i shkëlqyer.