Rajoni

Plani i zbatimit të propozimit të BE-së, Kurti: Ende nuk ka dokument përfundimtar!

Nga Ohri i Maqedonisë së Veriut ku ndodhet për takimin e shumëpritur me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç, kryeministri i Kosovës, tha sot se ende nuk ka dokument përfundimtar për planin e zbatimit të propozimit të Bashkimit Europian. Duke folur për gazetarët, Albin Kurti u shpreh se akoma nuk ka pajtim sa i takon planit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Do të kemi bisedime për planin e zbatimit, sepse nuk ka tekst të përfunduar. Përderisa nuk ka tekst të përfunduar, nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, e përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve, nuk mund të ketë marrëveshje.

Përveçse jam optimist, kam ardhur me qëllim të mirë, me vullnet të mirë dhe në mirëbesim që dakordimin e arritur më herët e që fatkeqësisht nuk u nënshkrua në Bruksel më 27 shkurt, ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit e në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshjen për normalizim të raporteve.

Zotohem të bëj më të mirën për Kosovën e të gjithë qytetarët, pa dallim.

Takimin e ndërmjetësojnë kryediplomati europian, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Ndërkaq, në Ohër gjendet edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për të marrë pjesë në takime, si vëzhgues.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Escobar deklaroi se nuk janë të fokusuar te firmosja, por te finalizimi i marrëveshjes.

Gabriel Escobar: Shikoni, ne nuk jemi të fokusuar te nënshkrimi, por po fokusohemi te finalizimi. Kjo do të thotë që të kemi një dakordësi që të dyja vendet të përgatiten për diskutime reale e një pajtim real në marrëdhëniet mes tyre. Kështu që kjo është më e rëndësishme: finalizimi i aneksit.

Radio Evropa e Lirë: Njohja reciproke është qëllimi përfundimtar?

Gabriel Escobar: Eshtë për ne.

Radio Evropa e Lirë: Duhet të ndodhë patjetër?

Gabriel Escobar: Mendoj se duhet të ndodhë. Mendoj se duhet të ndodhë për të gjitha vendet e rajonit. Unë mendoj se nuk ka asnjë mënyrë, asnjë rrugë për në Europë pa e njohur njëri-tjetrin të gjithë vendet e rajonit dhe pa punuar mirë së bashku mes tyre.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se mbështet dialogun Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, duke shtuar se “është zgjidhje e duhur për konsolidimin e paqes në rajon”.