Botë e Çuditshme Lifestyle

Po po ekziston një i tillë…/Ju prezantojmë me restorantin më të ngushtë në botë!

Restoranti më i ngushtë në botë ndodhet midis një farmacie dhe një klinike. Gjerësia e tij arrin në 109 centimetra, ndërsa gjatësia 10.5 metra. Ai mund të strehojë deri në 12 klientë në tre tavolinat e tij. Restoranti ndodhet në provincën Songla në Tajlandë dhe quhet “Nai Ru”, që do të thotë “Në një vrimë” në dialektin vendas.

33-vjeçari Kanet Raksakon e ka në pronësi këtë dyqan prej pesë vitesh dhe ka arritur ta kthejë në një vendtakim. “Gjatë orëve të pikut, klientët presin jashtë në radhë nëse nuk ka tavolinë. Disa e marrin për ta ngrënë jashtë, nëse nxitojnë”, ka argumentuar Canet në deklaratat e tij për mediat lokale.

Sipas raportimeve, vendasit e kanë pëlqyer atë dhe e vizitojnë për mëngjes ose për të ngrënë një vakt të lehtë në rrugë. Restoranti shërben qull të nxehtë orizi, kafe, pije si dhe menu ‘a la carte’.

Ndërkaq, ju rikujtojmë se restoranti më i shtrenjtë në botë ndodhet në Ibiza. ‘Sublimotion’ gjendet konkretisht në hotelin ‘Hard Rock’ dhe drejtohet nga shefi i kuzhinës Paco Roncero, me dy yje Michelin. Çmimi i menusë është plot 1800 euro. Një çmim i tillë është vendosur sepse përveç ushqimit, paguhet edhe për një aventurë ekskluzive dhe inovative, ku pranohen vetëm 12 klientë në natë.