Bota

Erë lufte në Azi, luftime të ashpra Tajlandë-Kamboxhia!

Luftimet mes Tajlandës dhe Kamboxhias janë përshkallëzuar përgjatë kufirit të tyre të kontestuar, ndërsa dy shtetet e Azisë Juglindore thonë se nuk do të tërhiqen nga mbrojtja e sovranitetit të tyre. Me të dyja palët që fajësojnë njëra-tjetrën për rinisjen e përplasjeve të reja një ditë më parë, mbetet e paqartë nëse mund të shpëtohet armëpushimi i brishtë i ndërmjetësuar në korrik nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Ish-udhëheqësi me ndikim i Kamboxhias, Hun Sen, tha se shteti i tij kishte pritur 24 orë për të respektuar armëpushimin dhe për të lejuar evakuimet, para se të niste kundërsulmet kundër forcave tajlandeze.

Kamboxhia ka nevojë për paqe, por Kamboxhia është e detyruar të kundërsulmojë për të mbrojtur territorin. Bunkerët e fortë dhe armët u japin forcave kamboxhiane avantazh në mbrojtjen kundër një armiku pushtues.

Në Tajlandë, zyrtarë ushtarakë thanë se kishte luftime në pesë provinca kufitare dhe se një operacion në provincën Trat për dëbimin e ushtarëve kamboxhianë pritet të përfundojë së shpejti. Ata deklaruan se Kamboxhia po përdor artileri, raketahedhës dhe dronë që lëshojnë bomba për të sulmuar forcat tajlandeze.

Tajlanda është e vendosur që të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial dhe për këtë arsye masat ushtarake duhet të merren sipas nevojës, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Surasant Kongsiri, në një konferencë për media ku folën edhe zyrtarë të tjerë ushtarakë.

Ministria e Mbrojtjes së Kamboxhias e akuzoi Tajlandën për “veprime brutale dhe të paligjshme”, duke thënë se që nga e hëna u vranë 9 civilë e 20 të tjerë u plagosën rëndë. Zyrtarët tajlandezë raportuan se 3 ushtarë u vranë në luftime dhe 29 persona u plagosën.

Kryeministri kamboxhian, Hun Manet, djali i Hun Senit, u shpreh:

Tajlanda nuk duhet të përdorë forcë ushtarake për të sulmuar fshatra civile nën pretekstin e rikthimit të sovranitetit të saj.

Të dy shtetet thanë se kanë evakuuar qindra mijëra njerëz nga zonat kufitare. Tensionet janë rritur që nga muaji i kaluar, kur Tajlanda pezulloi masat për të cilat palët patën rënë dakord gjatë një samiti të thirrur nga Trump. Kjo pasi një ushtar tajlandez u plagos nga një minë tokësore për të cilën Bangkoku akuzon Kamboxhian.