Aktualitet

Presidenti i zgjedhur Bajram Begaj nesër merr detyrën, detajet e ceremonisë në Presidencë!

Një ditë para se presidenti i zgjedhur, Bajram Begaj të marrë zyrtarisht detyrën nga para’ardhësi Ilir Meta, Presidenca njofton procedurat e kalimit të saj nga Meta tek Begaj, nesër kur mbaron mandati i kreut aktual të shtetit. Presidenca bën të ditur detaje të organizimit të ceremonisë së fillimit të detyrës të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj pasditen e ditës së nesërme, e diel 24 korrik.

Presidenti Bajram Begaj do të mbërrijë në Presidencë rreth orës 19:15 dhe më pas dy presidentët do të zënë vend në tribunë ku do luhet dhe Himni Kombëtar nga Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura, shoqëruar nga 21 të shtëna topi.

Vitore Tusha, kryetare e Gjykatës Kushtetuese i dorëzon Presidentit, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe më pas Begaj do të mbajë fjalën e rastit.

Komandanti i Truprojës së Nderit i Forcave të Armatosura i paraqet forcën Presidentit. Kalim në revistë i Presidentit.

Presidenti i shoqëruar nga familja hyjnë në Presidencë dhe më pas parashikohet pritje zyrtare në oborrin e Presidencës.

Ceremonia në Presidencë do të paraprihet nga seanca plenare në Kuvend për betimin e Presidentit të ri të Republikës, Bajram Begaj. Zyra e Shtypit e Kuvendit ka publikuar urdhrin e Kryeparlamentares Lindita Nikolla për mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare, në datë 24 korrik, ora 18:00 në mbështetje të nenit 88, pika 3 të Kushtetutës së Shqipërisë.

Kujtojmë se Bajram Begaj u zgjodh nga Kuvendi më 6 qershor, me 78 vota pro si Presidenti i tetë i Republikës së Shqipërisë.