Rajoni

Presidenti serb Vuçiç tregon pse nuk firmosi marrëveshje në Ohër!

Presidenti serb thotë se “në një marrëveshje juridike ndërkombëtare, nuk ka vlerë firma, pasi Serbia njihet ndërkombëtarisht, Kosova jo”. Një ditë nga takimi i gjatë me Albin Kurtin në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe që u ndërmjetësua nga Bashkimi Europian, sot Aleksander Vuçiç foli për qytetarët e Serbisë duke dhënë këtë arsye, si shpjegim për faktin që nuk e firmosi aneksin lidhur me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht ndërsa Kosova nuk është, ndaj nuk mund të arrihet një marrëveshje juridike ndërkombëtare. Askush nuk mund të vendosë detyrimin që Serbia të njohë Kosovën. Serbia mund të punojë për zbatimin sipas linjave të kuqe. Në Ohër u arrit një lloj marrëveshjeje, por nuk nënshkrova. U shënua përparim përmes një diskutimi konstruktiv.

Referuar pjesës që nuk u firmos marrëveshje, kryeministri Rama tha se shpreson që “djalli të mos fshihet në detaje”.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell bëri të ditur se edhe pse zyrtarisht, palët vendosën të mos e nënshkruajnë  marrëveshjen, ata ranë dakord të fillojnë zbatimin e saj, sa më shpejt të jetë e mundur.

Eshtë e qartë se të dyja palët do të kenë përfitim të madh nga kjo marrëveshje, sepse dialogu nuk është vetëm për Kosovën e Serbinë, por ka të bëjë me stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë rajonit.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e detyron Serbinë ta njohë Kosovën, por nga të dyja vendet kërkon t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat e targat. Po ashtu, duhet që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti tha se “dakordësia e arritur në Ohër është njohje reciproke de facto e Kosovës dhe Serbisë”. I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit, u shpreh se “është fjala për një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, jo për vetëqeverisje”.