Aktualitet Rajoni

Dakordësia Kurti-Vuçiç, Rama: Të shpresojmë që djalli të mos fshihet në detaje!

Kryeministri Edi Rama reagoi pas përfundimit të takimit Kurti-Vuçiç, mbrëmë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, me fokus zbatimin e propozimit të Bashkimit Europian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Lidhur me bisedimet, kryediplomati i BE-së, Josep Borrell njoftoi se palët arritën dakordësi lidhur me zbatimin e aneksit të marrëveshjes për të normalizuar marrëdhëniet.

Në një postim në Twitter, Rama shfaqi shpresën që “djalli të mos fshihet në detaje” dhe që “Marrëveshja për të cilën u ra dakord, por pa e nënshkruar, të mos jetë një tjetër mashtrim ballkanik! Përndryshe kjo do të ishte një arritje historike që do të shpallte një pranverë të shumëpritur në marrëdhëniet mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit”.

Le t’i përgëzojmë sinqerisht katër protagonistët e tryezës së Ohrit, duke uruar që së shpejti marrëveshja e panënshkruar të kthehet në një realitet të ri të pakthyeshëm mes Kosovës e Serbisë, shqiptarëve dhe serbëve, Ballkanit Perëndimor e Bashkimit Europian.

Me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak shefi i diplomacisë së Unionit, Josep Borrell ndërmjetësoi bisedimet. Në përfundim të takimit të gjatë Kurti-Vuçiç, Borrell deklaroi:

Palët pranuan që marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit, të bëhen pjesë integrale e rrugëve përkatëse drejt Bashkimit Europian. Edhe pse ato vendosën të mos e nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen, ranë dakord që sa më shpejt të jetë e mundur të fillojnë zbatimin e saj.  Eshtë e qartë se të dyja palët do të kenë përfitim të madh nga kjo marrëveshje, sepse dialogu nuk është vetëm i Kosovës e Serbisë, por ka të bëjë me stabilitetin, sigurinë e prosperitetin e të gjithë rajonit.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se “dakordësia e arritur është njohje reciproke de facto e Kosovës dhe Serbisë”. Por, a do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave serbe?

Bëhet fjalë për një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, jo për vetëqeverisje.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç u shpreh se “formimi i Asociacionit është bërë detyrim me prioritet”.