Celebrities Music Showbiz

Problemi shëndetësor detyron Dua Lipa-n të mos marrë pjesë në festival!

Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa, ka njoftuar se nuk do të performojë në “iHeartRadio Jingle Ball”. Lajmin e keq e bëri të ditur për fansat e saj me anë të një postimi të publikuar në InstaStory këtë të premte, ku u shpreh se ishte diagnostikuar me laringit. Festivali i mbushur me yje do të vazhdojë të zhvillohet në qytetin e New York-ut të premten në mbrëmje dhe artistë të tillë si Doja Cat, Ed Sheeran dhe Lil Nas X janë vendosur të performojnë aktualisht. Këngëtarja e nisi mesazhin e saj duke u shprehur se mjekët i kishin thënë që të mos paraqitej në eventin muzikor. Ajo shprehet se:

Më thyhet zemra që duhet të ndaj se nuk do të jem në gjendje të performoj në “iHeartRadio Jingle Ball” për shkak të laringitit. Sipas urdhrave të mjekut tim sot, do të më duhet të jem në pushim vokal për ditët e ardhshme në mënyrë që të shërohem plotësisht.

Këngëtarja e “Don’t Start Now” theksoi se ishte e zhgënjyer për mungesën e saj në këtë festival dhe se fansat e saj mund të argëtohen akoma në këtë shfaqje dhe pse ajo nuk do të jetë pjesë e saj. Ajo thotë se:

Më vjen shumë keq për të gjithë fansat e mi dhe jam vërtet mirënjohëse për mirëkuptimin tuaj. Jingle Ball ka performanca të mahnitshme për të gjithë ju dhe jam e sigurt që do t’ju pëlqejë. Ju dërgoj dashurinë time dhe shpresoj të rikthehem në skenë shumë shpejt!

Dua Lipa më pas ndau një ‘selfie’ në profilin e saj në Instagram që tregonte se ajo ishte duke pushuar në shtëpi dhe shkruante se:

Nuk ka se si të jetë ndryshe udhëtimi për 11 orë për të shkuar në Los Angeles për punë dhe duhet të kaloj ditët e mia në shtrat duke marrë një pushim vokal.

Rikujtojmë se, Dua Lipa vijon të shënojë suksese të njëpasnjëshme në botën e muzikës. Kënga e saj “Levitating” është shpallur së fundmi kënga më e mirë e vitit 2021. Sipas renditjes së ‘Billboard Chart’, kjo këngë përfshihet në kategorinë e “Hot 100 Songs” për të gjithë artistët dhe me këtë rast ylli i muzikës pop rrëmbeu vendin e parë. Vetë këngëtarja ka ripostuar në llogarinë e saj në Instagram vlerësimin nga ‘Billboard Chart’ duke falenderuar dhe fansat e saj për mbështetjen.