Bota

Pyeti ndjekësit dhe shiti aksionet e Teslas, 5 miliard dollarë në xhepat e Elon Musk!

Shefi ekzekutiv i kompanisë “Tesla”, Elon Musk, shiti aksionet në vlerë rreth 5 miliard dollarë. Një veprim që pason sondazhin e pak ditëve më parë me 63 milion ndjekësit që ka në Twitter. Anketa për të marrë një mendim si të vepronte, pra të shiste apo jo 10% të aksioneve të Teslas, nuk kaloi pa pasoja. Dy ditë nga sondazhi në Twitter, aksionet ranë me 16% dhe shumica ishin pro shitjes.

Por, vlera e aksioneve u rrit sërish një ditë më parë. “Tesla” rezulton kompania më e shtrenjtë e prodhimit të makinave në botë, me vlerë deri në 1 trilion dollarë. Në Shtetet e Bashkuara, Rregullatori i Aksioneve konfirmon se për një pjesë të mirë të tyre, planet e shitjes ekzistonin që në muajin shtator, para se Musk të kërkonte mendimin e ndjekësve në Twitter.

Në klasifikimin më të fundit të më të pasurve në botë, Elon Musk udhëheq listen me një pasuri personale në vlerë mbi 281 miliard dollarë. Veprimi i manjatit 50-vjeçar është përgjigje ndaj planit të taksave për miliarderë, propozim i demokratëve amerikanë.

Një rrjedhje e pashembullt të dhënash personale të taksave federale të mijëra amerikanëve ka rindezur një debat mbi pabarazinë e të ardhurave në Shtetet e Bashkuara. Përkrahësit e reformës në sistemin e taksave shpresojnë se një ide më e qartë nga publiku për mënyrën si të pasurit shmangin taksat do të sjellë një rishikim të Kodit të Taksimit në Shtetet e Bashkuara.

Më të pasurit në Amerikë përfitojnë nga privilegje e luks i jashtëzakonshëm, në kohën kur paguajnë pak ose aspak taksa. Sipas planeve të propozuara nga demokratët në Senatin Amerikan, miliarderët mund të tatohen për “fitimet e parealizuara”, kur çmimi i aksioneve të kompanive të tyre rritet, edhe nëse ata nuk shesin asnjë nga aksionet përkatëse.