Aktualitet

Rama: Shqiptarët, pa viza drejt Emirateve të Bashkuara!

Nga 20 prilli qytetarët shqiptarë do të udhëtojnë pa viza drejt Emirateve të Bashkuara Arabe.

Lajmin e dha sot kryeministri Edi Rama, i cili theksoi në një postim në rrjetet sociale se, “edhe Emiratet e Bashkuara Arabe pa viza nga 20 prilli”.

Qeveria shqiptare miratoi në mbledhjen e datës 8 shkurt marrëveshjen me qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u shpreh pas mbledhjes së qeverisë së datës 8 shkurt se, kjo marrëveshje shton akoma më tej numrin e shteteve ku shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë pa viza.

Kjo marrëveshje do të krijojë lehtësi të shtuara për gjithë ata qytetarë shqiptarë që dëshirojnë të udhëtojnë drejt këtij vendi, qoftë për punë, biznes apo turizëm, shtoi Xhaçka.

Nga momenti i hyrjes në fuqi të marrëveshjes shtetasit shqiptarë nuk do të kenë më nevojë për viza hyrëse, nënvizoi Xhaçka.