Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell do të raportojë para kryediplomatëve të Unionit, lidhur me takimin në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç. Në takimin e 18 marsit me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, palët arritën dakordësi mbi aneksin për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.
Këtë marrëveshje që njihet edhe si propozimi europian, Kosova e Serbia e pranuan më 27 shkurt, gjatë bisedimeve në Bruksel. Para nisjes së takimit të Këshillit të ministrave të Jashtëm të BE-së, Borrell u shpreh:
Patëm diskutime të gjata e në fund edhe një marrëveshje, e cila do të konsiderohet si pjesë përbërëse e rrugëtimit europian për të dyja palët. Do të bëhet pjesë e Kapitullit 35 të negociatave të anëtarësimit me BE-në për Serbinë. Po ashtu, pjesë e dokumenteve e kërkesave lidhur me normalizimin për Kosovën. Tani do të monitorojmë nga afër zbatimin e saj. Të dyja palët janë shprehur se duan ta zbatojnë e le të shohim se si do ta bëjnë këtë.
Për takimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut e gjithashtu për planet për të siguruar zbatimin e asaj për të cilin ranë dakord të dy palët, kryediplomati Borrell do të flasë edhe në samitin e Unionit që zhvillohet në Bruksel në datat 23 dhe 24 mars.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka deklaruar se “blloku europian do të marrë vendim për zbatimin e marrëveshjes dhe aneksit, që t’i bëjë pjesë përbërëse të kornizës negociuese të BE-së për negociatat e anëtarësimit me Serbinë”. Ndërsa për Kosovën, zbatimi do të jetë pjesë e Komisionit për Normalizim.
Një prej pikave të aneksit vendos zbatimin, si kusht për përparimin e Kosovës e të Serbisë në procesin e integrimeve në BE dhe flet për pasojat në rast se nuk do të ketë zbatim.